(27.10.2015)Sot ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, vizitoi komunën e Haraçinës me ç’rast së bashku me kryetarin e komunës Brahim Ajvazi, dolën në terren për të inspektuar gjendjen e deponisë së paligjshme, e cila gjendet në dalje të Haraçinës. Problemi me këtë deponi sërish po aktualizohet ditëve të fundit me mbushjen e vazhdueshme të deponisë, për shkak të hedhjes së pakontrolluar dhe të paligjshme të mbeturinave komunale nga qytetarët e Haraçinës dhe për shkak të problemeve me të cilat po përballen komuna dhe ndërmarrja komunale për pastrimin e këtyre mbeturinave.
Në deklaratën për media, ministri Izairi informoi se problemi me deponinë në Haraçinë do të zgjidhet në mënyrë të integruar dhe me vendosjen e deponisë rajonale në rajonin e Shkupit për çka janë siguruar mjete nga fondet evropiane IPA. Mirëpo, duke pasur parasysh se procedura për ndërtimin e deponisë rajonale në rajonin planor verilindor është në një fazë shumë më të avancuar që nënkupton edhe blerje të mekanizmitadekuat, ministri Izairi njoftoi për mundësinë që e njejta të shfrytëzohet edhe për zgjidhjen e problemit në Haraçinë.