Ministrja Shukova si pjesë e delegacionit qeveritar që vizitoi sot komunën e Dellçevës, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikolovski dhe kryetarin e Komunës së Dellçevës, inspektuan punimet e ndërtimit të stacionit të filtrimit për ujë të pijshëm, i cili është një projekt i rëndësishëm infrastrukturor i cili në mënyrë të përhershme zgjidh sigurimin e ujit të pijshëm të pastër për banorët e Dellçevës dhe vendbanimeve përreth në komunë.
“Kontributi i brendshëm i Qeverisë përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në projektin me vlerë përafërsisht 9 milionë franga zvicerane është rreth 1.3 milionë franga zvicerane të përdorura për rindërtimin e rrjetit ekzistues të vjetëruar të furnizimit me ujë, për zgjerimin e tij dhe lidhjen e fshatrave Xvegor dhe Gabrovë në sistemin e furnizimit me ujë” theksoi Shukova në një deklaratë për mediumet dhe informoi se projektet janë duke u realizuar në përputhje me dinamikën e paraparë, ndërsa realizimi pritet të përfundojë në fund të prillit të vitit 2024.
Shukova theksoi se janë bërë përpjekje dhe janë siguruar 24 milionë denarë shtesë për ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë në fshatin Virçe të komunës së Dellçevës. Projekti do të zbatohet gjatë dy viteve të ardhshme, 2024 dhe 2025. Në proces është përgatitja e dokumentacionit të projektit, pas së cilës MMJPH do të zbatojë procedurën e tenderit. Shukova shtoi se Qeveria nuk ndalet këtu por vazhdon të mbështesë zhvillimin e rajonit lindor në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke theksuar se në këtë komunë nga kredia e Bankës Evropiane për Investime për ndërtimin e sistemeve të reja dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe sistemet e grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të zeza për Dellçevën janë ndarë 573 mijë euro për rregullimin e shtratit të lumit Bregalnica në gjatësi prej 500 metrash dhe rindërtim të kanalit për ujitje. Gjithashtu, komuna mbështetet në vënien në funksion të menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave me dhurimin e paisjeve, si dhe përfshirjen e aktiviteteve për vendosjen në funksion të sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave.