Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, në brifingun e sotëm informoi përfaqësuesit e mediumeve për aktivitetet e realizuara dhe të planifikuara në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe iu përgjigj pyetjeve për temat aktuale.
Shukova informoi për projektet më të mëdha infrastrukturore, në radhë të pare për progresin në vendosjen në funksion të sistemeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, ku Rajoni Lindor dhe Verilindor janë në fazën më të avancuar dhe pritet në kohë sa më të shpejtë edhe shpallja e tenderit.
Në fushën e ujërave, iu referua menaxhimit të pellgjeve lumore dhe realizimit të huasë prej 50 milionë euro të siguruar nga Banka Europiane e Investimeve, e shpërndarë në të gjitha komunat në vend. Mjetet janë destinuar për përmirësimin e infrastrukturës ujore për grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza, furnizimin me ujë, ndërtimin e stacioneve të filtrimit, reduktimin e humbjeve të ujit në varësi të prioriteteve të komunave.
Ministrja Shukova informoi se tenderi për ndërtimin e Stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në Tetovë tashmë është shpallur në dhjetor të vitit 2023, ndërsa tenderi për ndërtimin e Stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në Manastir është në fazën përgatitore. Lidhur me ndërtimin e Stacinit për pastrimin e ujërave të zeza në Shkup, Shukova theksoi se tashmë është bërë paradhënie, me të cilën kontraktori mund të fillojë punën.
Në fushën e mbrojtjes së natyrës, siç informoi ministrja, ka filluar një nismë e re për mbrojtjen e Jabllanicës, në vijim është procesi i rivlersimit të vlerave natyrore të Mavrovës, dhe për herë të parë këtë vit MMJPH do t’i qaset financimit të drejtëpërdrejtë të të katër parqeve kombëtare me qëllim përmirësimin e punës së tyre dhe sigurimin e infrastrukturës së nevojshme që do t’i lejojë ata të punojnë me shërbimet e ekosistemit dhe se prerja e pyjeve të mos jetë burimi kryesor i të ardhurave.
Risi janë edhe konsideratat për shpalljen e gjeoparqeve në vend dhe realizimi i nismës për shpalljen e gjeoparkut pranë Demir Kapisë.
Në fushën e mbrojtjes së ajrit, Shukova foli për projekte më të mëdha që vazhdojnë të realizohen. Ajo në veçanti iu referua projektit të financuar nga fondet e BE-së për trajtimin e ndotjes së ajrit në katër qytete: Shkup, Manastir, Kumanovë dhe Tetovë, në kuadër të të cilit planifikohet zëvendësimi i sistemeve të ngrohjes me sisteme ekologjike në 70 objekte publike, prokurimi i autobusëve ekologjikë për në Shkup dhe rritja e sipërfaqeve të gjelbra.
Lidhur me trajtimin e pikave të nxehta mjedisore historike, ajo bëri të ditur se vijon puna për largimin e lindanit nga Ohisi, ndërsa për pjesën tjetër po merren masa mbrojtëse.
Lidhur me çështjen aktuale të ndërtimit të HEC-it të Çebrenit, Shukova informoi se nga 31 dhjetori 2023, nga ana e ofertuesit të përzgjedhur nuk ka arritur vazhdim i garancisë bankare, kështu që oferta bëhet joaktive dhe procedura anulohet.