Мinistrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova, së bashku me ambasadoren e Zvicrës, shkelqësia e saj, Veronique Hulmann, ambasadorja e Greqisë, shkelqësia e saj, Sofia Filippidou dhe kryetari i komunës së Gjevgjelisë, Andon Saramandov, sot vizituan lokacionin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në Gjevgjeli dhe inspektuan aktivitetet e realizuara në fazën e fundit të projektit: pastrimi dhe mbyllja e deponisë ilegale dhe ndërtimi i impiantit fotovoltaik për nevojat e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza.
Realizimi i këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm infrastrukturor është rezultat i bashkëpunimit të tri shteteve: Zvicrës, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe pjesëmarrjes aktive të komunës së Gjevgjelisë dhe ndërmarrjes së saj komunale.
Projekti “Ndërtimi i stacionit për pastrimin e ujërave të zeza në Gjevgjeli” është një projekt i jashtëzakonshëm që tregoi se si me bashkëpunim të mirë dhe të përkushtuar mund të arrihen përfitime të shumta dhe qëndrueshmëri.
Stacioni për pastrimin e ujërave të zeza kontribuon në përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve të dy vendeve dhe në mbrojtjen e mjedisit jetësor duke derdhur ujë të pastër në lumin Vardar. Do të thotë afrim i Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian dhe kërkesat e direktivave evropiane të ujit, dhe mbyllja e suksesshme e deponisë i mundëson komunës së Gjevgjelisë që të menaxhojë mbeturinat e saj të ngurta – të cilat tani depozitohen në një deponi sanitare – në një mënyrë më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
Gjatë realizimit të projektit, i cili përmban disa komponentë, u bë rishpërndarja e fondeve zvicerane dhe financimi i instalimit të një termocentrali fotovoltaik, i cili mbulon rreth 30% të energjisë elektrike të nevojshme për stacionin e pastrimit të ujërave të zeza dhe për rrjedhojë mundësohet pjesërisht vetëprodhimi i energjisë elektrike.
“Ky projekt është simbol i një bashkëpunimi të suksesshëm, projekt që e ka shndërruar zonën e pikës së zezë ekologjike në komunën e Gjevgjelisë në një mjedis ekologjik sipas standardeve të larta”, tha kryetari i Komunës së Gjevgjelisë Andon Saramandov, duke shtuar se projekti përmban edhe një komponent zhvillimor, ashtu siç është planifikuar të plotësojë nevojat e qytetit deri në vitin 2036, dhe përveç kësaj, me këtë projekt komuna merr një atribut të rëndësishëm që është i nevojshëm për planet e mëtutjeshme zhvillimore.
Ministrja Shukova gjatë fjalimit të saj theksoi se ky projekt tregon se shteti, vetëqeverisja lokale dhe partnerët tanë, vendet anëtare të BE-së dhe ato që nuk janë si Konfederata Zvicerane, realizojnë projekte me shumë komponentë që janë në interes të shtetit dhe mjedisit jetësor.
“Në këtë mënyrë përmbushim legjislacionin që është i harmonizuar me atë të BE-së, që është prioritet i Qeverisë, por besoj edhe te çdo qytetar i shtetit. Shpresoj që në të ardhmen do të realizojmë projekte të tilla të suksesshme që kanë komponentë të shumëfishtë dhe shpresoj që kjo që bëjmë do të mbahet jo vetëm nga shoqëria publike, por edhe nga të gjithë qytetarët”, tha Shukova nga Gjevgjelia.
“Ky projekt është i veçantë për disa arsye. Ai përshtati me sukses dhe tejkaloi sfidat e papritura, veçanërisht rritjen e ndjeshme të tarifave të energjisë që rrezikoi funksionimin dhe qëndrueshmërinë financiare të stacionit të pastrimit të ujërave të zeza dhe arriti të mbyllë deponinë jo standarde”, theksoi ambasadorja e Zvicrës, shkelqësia e saj, Veronique Hulmann, duke shtuar se të gjithë partnerët e përmbushën pjesën e tyre të marrëveshjes dhe ne mund të jemi krenarë që këto përpjekje të përbashkëta çuan në realizimin e suksesshëm të projektit. Në fund, ajo inkurajoi komunën e Gjevgjelisë dhe ndërmarrjen publike që të vazhdojnë përpjekjet e tyre dhe të zgjerojnë më tej kapacitetin e paneleve diellore në mënyrë që shpenzimet aktuale të reduktohen në minimum.
“Greqia është prezente në këtë projekt që nga viti 2001, dhe ka kontribuar me 2 milionë euro. Së bashku me projektin fillestar për ndërtimin e Stacionit të pastrimit për menaxhimin e ujërave që përfundoi në shtator 2019, mbyllja e deponisë dhe ndërtimi i murit mbrojtës në bregun e Suva Rekës janë një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj një mjedisi kyç lokal dhe madje sfidë ndërkufitare ekologjike” tha ambasadorja e Greqisë, shkelqësia e saj, Sofia Filippidou.
Projekti financohet nga qeveritë e Konfederatës Zvicerane, Republikës së Greqisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komunës së Gjevgjelisë.