Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova, sot realizoi një takim me ambasadoren e Republikës së Greqisë në R. e Maqedonisë së Veriut , E.S. Sofiia Filipidu.
Në fokus të bisedës ishin aktivitetet për ruajtjen dhe promovimin e rajonit të Liqenit të Prespës, pas ratifikimit të Marrëveshjes trepalëshe për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Parkut të Prespës, që u nënshkrua nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria, si dhe takimi i ardhshëm i autoriteteve kyçe që menaxhojnë dhe rregullojnë parkun.
Ministrja theksoi se priten konsultime të gjera në lidhje me menaxhimin ndërkufitar të Parkut të Prespës, për të mundësuar menaxhimin e qëndrueshëm të vlerave natyrore dhe nxitjen e zhvillimit social-ekonomik për popullsinë vendase të të tre shteteve.
Rajoni i Prespës, si një ekosistem unik, do të zhvillohet me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në vlerë prej 18 milionë euro të siguruara përmes programit EU4Prespa në kuadër të Programit Vjetor IPA III.
U diskutua edhe për sfidat me të cilat përballen të dy vendet në lidhje me funksionalitetin e hidrosistemit të liqenit të Dojranit, gjegjësisht nevojën për rindërtimin e stacionit të trajtimit të ujit, si një nga projektet më të rëndësishme të përbashkëta mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në pjesën e mbrojtjes së mjedisit. Nëkëtë takim u diskutua edhe për angazhimin e dy vendeve në mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve ujore në pellgun më të gjerë të lumit Drin, mbi vizionin për menaxhimin e qëndrueshëm të pellgut dhe hapat e parashikuara për të ardhmen.
Shukova dhe Filipidu u dakorduan se është i nevojshëm institucionalizimi i bashkëpunimit, komunikimit aktiv dhe veprimit të koordinuar, për të realizuar me sukses projektet e përbashkëta në fushën e menaxhimit të mjedisit, të cilat janë me rëndësi strategjike dhe prioritet i përbashkët i të dy vendeve.