Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova ka zhvilluar konferencë për shtyp ku informoi për shpërndarjen e mjeteve për komunat nga kredia nga Banka Evropiane për Investime për përmirësimin e infrastrukturës ujore të komunave në vendin tonë.
Vlera totale e kredisë për projektin është në vlerë prej 50 milionë euro dhe e njëjta do të shlyhet nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përfituesit përfundimtarë të mjeteve nga kredia janë komunat dhe komunat në qytetin e Shkupit.
Shukova informoi se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) do të lidhë marrëveshje për donacion me secilën komunë dhe mjetet do të shpërndahen sipas metodologjisë së përcaktuar për realizimin e investimeve prioritare për sistemin e ujësjellësit, kanalizime, stacione të pastrimit të ujërave të zeza dhe paisje.
Sipas vendimit të Qeverisë së RMV-së për shpëndarjen e mjeteve nga kredia e BEI-së sipas marrëveshjes financiare për projektin për përmirësimin e infrastrukturës ujore të komunave në Maqedoninë e Veriut, secila nga komunat dhe komunat e qytetit të Shkupit do të marrin 200.000 euro në mënyrë të barabartë, ndërsa nga shuma e mbetur 16 milionë euro do të shpërndahen sipas indeksit për zhvillim komunal dhe përqindjes së shpërndarjes sipas rajoneve planore sipas shkallës së zhvillimit për periudhën 2018-2023, ndërsa 18 milionë euro të mbetura do të shpërndahen në varësi të numrit të popullsisë në komuna – 70% dhe numrit të vendbanimeve – 30%.
Sipas ministres Shukova, kjo shpërndarje është zhvillimore: 46 komuna do të marrin mjete nga gjysmë deri në një milion euro, 28 komuna do të marrin mjete nën 500 mijë euro, ndërsa gjashtë komuna (7% e numrit të përgjithshëm të komunave) do të marrin më shumë se një milion euro.
Ajo shtoi se në peridhën e kaluar MMJPH ka ndërmarrë një sërë hapash dhe aktivitetesh për realizimin e projektit – është miratuar Vendim për formimmin e njësisë projektuese, janë publikuar dy thirrje publike për shprehjen e interesit për ekspertët e njësisë, është formuar një ekip projekti nga MMJPH për zbatimin e projektit, janë dorëzuar kërkesat deri tek komunat për listën e projekteve të propozuara dhe dokumentacionin, si dhe është bërë një analizë fillestare e listës së projekteve të propozuara në përputhje me kriteret e përcaktuara.
Nga ana tjetër, komunat kanë dorëzuar një listë me gjithsej 373 projekte të propozuara, prej të cilave për momentin: Rajoni i Shkupit ka dorëzuar 67 projekte, Rajoni i Vardarit 64, Rajoni Lindor dhe Jugperëndimor nga 50, Rajoni i Pollogut 46, Rajoni Juglindor 40, Rajoni i Pellagonisë 36 dhe Rajoni Verilindor 20.
Ministrja Shukova njoftoi se në periudhën e ardhshme është planifikuar të mbahen punëtori me komunat për të shpjeguar procesin dhe trajnimet për plotësimin e pyetësorëve të projektit. Gjithashtu, Njësia e Zbatimit të Projektit dhe Konsulenti do të punojnë për përgatitjen e dosjeve të tenderit për secilën nga komunat.
Video nga konferenca për shtyp në gjuhën shqipe