Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova hapi panel-diskutimin me temë “Taksa mjedisore për vajrat – obligimet ligjore për menaxhimin e vajrave dhe mbeturinave të vajrave” organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut dhe kompania Eco Fluid, të mbajtur sot në Shkup. Në këtë ngjarje, institucionet komptetente relevante dhanë informacione më të detajuara dhe konkrete për zbatimin e Ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit për Menaxhimin e Rrjedhave të Posaçme të Mbeturinave dhe Ligjit për Menaxhimin e Rrjedhave Shtesë të Mbeturinave, veçanërisht në pjesën e prezantimit të obligimeve të prodhuesve, gjegjësisht importuesve të vajit dhe yndyrërave (përveç vajrave që digjen dhe gatimit).
Në përgjithësi, legjislacioni për menaxhimin e mbeturinave prezantoi konceptin e përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit krahas parimit “ndotësi paguan”. Kjo zgjidhje ligjore rregullon masat e mbrojtjes së mjedisit jetësor, të cilat duhet të përmbushen nga operatorët ekonomikë të përfshirë në ciklin jetësor të vajrave, dhe veçanërisht nga operatorët e përfshirë në sistemin e grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave të vajrave.
Ministrja Shukova theksoi se Ligji për Menaxhimin e Rrjedhave Shtesë të Mbeturinave rregullon disa kërkesa dhe kushte specifike për menaxhimin e tyre.
– Zbatimi i Ligjit për Menaxhimin e Rrjedhave Shtesë të Mbeturinave do të sigurojë prodhim dhe konsum të qëndrueshëm, një sistem grumbullimi, përpunimi dhe riciklimi deri në nivelin e arritur në numrin më të madh të vendeve të Bashkimit Evropian, duke minimizuar asgjësimin e mbeturinave të produkteve si mbeturina komunale të pazgjedhura dhe kushte të barabarta pune për prodhuesit në treg – tha ministrja Shukova, duke shtuar se zbatimi i këtij ligji siguron përmirësimin dhe mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit jetësor.
Panel-diskutimi u organizua me qëllim të informimit për rëndësinë e zbatimit të këtyre dy ligjeve, por edhe për të dëgjuar mendimin e komunitetit të biznesit për ndryshimet e propozuara me Ligjin për Rrjedhat e Veçanta të Mbeturinave që është në procedure parlamentare, i cili me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor parasheh reduktim të kompensimit për mbeturinat e vajrave. Ndonëse është më se e qartë, se në drejtim të një mjedisi më të mirë jetese, trajtimi i rrymave të veçanta të mbeturinave është i një rëndësie të jashtëzakonshme, megjithatë ligjet duhet të jenë të zbatueshme dhe të korrespondojnë me situatën reale socio-ekonomike.
Sipas ministres Shukova, menaxhimi i mbeturinave dhe rregullimi i çështjeve të mbeturinave është një nga sfidat më të mëdha si të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ashtu edhe të shtetit dhe zbatimi i legjislaconit është thelbësor.
Paneli inicioi një përgjigje në pyetjet lidhur me zbatimin e Ligjit për Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit, mënyrën e raportimit të sasive të vajrave, llogaritjen e taksës mjedisore në çmimin total të produktit, për të gjitha detyrimet ligjore të prodhuesve dhe shumë pika të tjera lidhur me detyrimet ligjore për të cilat kompanitë kanë iniciuar një sërë aktivitetesh në periudhën e kaluar.
Pjesëmarrës në panel ishin Ana Karanfilova Maznevska, udhëheqëse e Sektorit të Mbeturinave në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Suzane Alili, udhëheqëse e Njësisë për masa jo tarifore dhe mbrojtje të të drejtave të pronës intelektuale – Sektori i Akcizave, Drejtoria Doganore e RMV-së, Sreten Stojkovski, drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit Jetësor dhe Georgij Çurilov, udhëheqës i Sektorit për Çështje Juridike dhe Administrative të Byrosë për Prokurim Publik.