Fillon zbatimi i projektit të ri për trajtimin e cilësisë së ajrit, që do të realizohet në bashkëpunim të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim – SIDA, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe organizata të tjera partnere. Projekti ka për qëllim të mbështesë autoritetet vendore në pesë komuna pilot në vendin tonë, në drejtim të zbulimit dhe matjes së burimeve të ndotjes së ajrit, identifikimit, zhvillimit dhe zbatimit të masave të duhura për tejkalimin e problemeve, forcimit të kapaciteteve të organizatave partnere, si dhe ndërgjegjësimi i publikut dhe zhvillimi i shprehive pozitive tek publiku i gjërë. Ai bazohet në rezultatet e arritura dhe mësimet e nxjerra nga faza e parë e projektit që u zbatua në Qytetin e Shkupit. Aktivitetet e realizuara me sukses që do të përsëriten në Kavadar, Gostivar, Kumanov, Strumicë dhe Strugë si qytete që kanë probleme serioze me ndotjen e ajrit.
– Shpresat dhe motivimi janë të mëdha kur fillon një projekt i ri, veçanërisht kur ka të bëjë me një nga problemet më urgjente me të cilat përballeni, ndotja e ajrit – tha ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova duke shtuar se tejkalimi i këtyre kushteve kërkon një qasje dhe koordinim multisektorial, dhe konceptualizimi i këtij projekti mundëson pikërisht këtë. Ministria është e hapur për bashkëpunim dhe mbështetje të vetëqeverisjeve lokale, dhe aktivitetet e projektit lidhen me ato të Ministrisë dhe përshtaten në zgjidhjen e planifikuar të kësaj çështje urgjente.
Si partner në këtë projekt përfshihen edhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Byroja për Zhvillim Rajonal dhe BNJVL, ndërsa në zbatim do të përfshihet edhe ekipi shkencor përmes laboratorit AMBICON nga Universiteti i Shtipit “Goce Dellçev”, që në ciklin e kaluar ishte në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet profesionale të MMJPH-së, ka punuar për zbulimin dhe modelimin e burimeve të ndotjes për projektimin e masave.
Në projekt, një pjesë e burimeve financiare do të përdoren për përmirësimin e efikasitetit të energjisë dhe zëvendësimin e sistemeve të ngrohjes së ndërtesave publike, për të cilat do të jepen propozime nga vetë komunat, dhe realizimi do të bëhet në bazë të bashkëfinancimit nga vetë komunat.
Në ngjarjen e sotme morën pjesë dhe mbajtën fjalim: përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në vend Armen Grigoryan, ambasadorja e Suedisë Ami Larsson, ministri i Vetëqeverisjes Lokale Riston Penov, Dushica Perishiq, Drejtor Ekzekutiv i BNJVL-së dhe Ramiz Rexhepi drejtor i Byrosë për Zhvillim Rajonal.