Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova ka zhvilluar një vizitë pune në komunën e Strumicës, gjatë së cilës së bashku me kryetarin e komunës, Kostadin Kostadinov biseduan për sfidat me të cilat ballafaqohet komuna në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe mbështetjen që MMJPH-ja mund të ofrojë në realizimin efikas të synimeve të përcaktuara.
Kryetari Kostadinov informoi për qasjen sistematike të komunës në tejkalimin e sfidave në mediume të ndryshme të mjedisit jetësor, mbi të gjitha në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe vizionin që komuna e Strumicës të bëhet komuna e parë në Ballkan me transport publik plotësisht të elektrifikuar, për të cilin është planifikuar prokurimi i 10 autobusëve elektrikë, më pas vendosja e themelit për infrastrukturën e bicikletave sepse tek qytetarët është zhvilluar kultura e përdorimit të biçikletës si mjet transporti, aktivitetet për vendosjen e sistemit të menaxhimit të mbeturinave përmes mbështetjes së MMJPH-së dhe donatorë të tjerë, si dhe zgjidhjen e problemeve në fushën e furnizimit me ujë, bartjes dhe trajtimit të ujërave të zeza.
Ministrja Shukova, duke u shprehur e kënaqur me qasjen sistematike të komunës në trajtimin e problemeve mjedisore, theksoi se pikërisht për këtë Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e njeh komunën e Strumicës si komunë që është e gatshme të aplikojë për mjetet investuese në dispozicion. Përkatësisht, komuna e Strumicës ka përgatitur dokumentacion cilësor dhe ka aplikuar për marrjen e mjeteve përmes Programit të Ujërave dhe Programit për Investime në Mjedis për vitin 2023 të MMJPH-së. Gjithashtu, Ministria do të marrë parasysh dhe konsiderojë mundësitë për të mbështetur aktivitetet për elektrifikimin e transportit publik duke siguruar mjete financiare për pajisje shtesë të nevojshme për funksionimin e sistemit dhe për të mbështetur projektin për instalimin e një stacioni të filtrimit të ujit të pijshëm për vendbanimin e quajtur Bansko në buxhetin për vitin 2024.
Ministrja Shukova njoftoi se në fushën e menaxhimit të mbetjeve, përveç sigurimit të enëve për grumbullimin dhe përzgjedhjen e mbeturinave, me kredinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rajonet Juglindore dhe atë të Vardarit, do të ndërtohet edhe deponia sanitare rajonale në komunën e Vasilevës, e cila do të përmbushë standardet e larta evropiane. Komuna është e gatshme të zgjidhë edhe problemin e ujësjellësit dhe largimit të ujërave të zeza në vendbanimin Murtino përmes kredisë nga Banka Evropiane e Investimeve.