Shkalla e zbatimit të ndihmës IPA për mjedisin jetësor dhe përshpejtimi i procesit të shfrytëzimit të fondeve të granteve IPA ishin tema kryesore e takimit të sotëm të ministres së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova me shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian E.T. David Geer i shoqëruar nga Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së Stefan Hudolin dhe Zyrtari i Programit për Projektet e Infrastrukturës kushtuar Ndryshimeve Klimatike, Mjedisit dhe Burimeve Natyrore, Davide Bixio.
Ministrja Shukova shprehu mirënjohjen për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë jo vetëm MMJPH në fushën e mjedisit, por edhe shtetit në përgjithësi në arritjen e standardeve të BE-së.
Në takimin e punës theks i veçantë u vu në realizimin e projekteve të mëdha IPA për ndërtimin e impianteve dhe rrjeteve të kanalizimit në Manastir dhe Tetovë, si dhe projektin për menaxhim rajonal të mbeturinave në rajonet planore lindore dhe verilindore.
Në rubrikën e ajrit u hap tema e rëndësisë së ratifikimit të Protokollit të Goteborgut për Ndotjen Ndërkufitare të Ajrit, si dhe nevoja për intensifikimin e aktiviteteve në drejtim të identifikimit të zonave potenciale NATURA 2000 në vend dhe përmbushjes së detyrimeve ndaj konventës CITES për tregti ndërkufitare me specie të egra. Delegacioni theksoi se vazhdimi i proceseve reformuese në fushat prioritare të mjedisit është i një rëndësie të njëjtë.
Gjithashtu, Ministrja Shukova informoi për veprimet e ndërmarra nga Qeveria për ruajtjen e statusit të rajonit të Ohrit në UNESCO, për aktivitetet që MJPH ndërmerr për përmbushjen e detyrimeve të Agjendës së Gjelbër, si dhe për statusin e punë përgatitore në kuadër të dokumentit të veprimit IPA 3 – BE për Prespën.
Pikëpamja e përbashkët ishte se grupet sektoriale të punës për mjedisin dhe veprimin për klimën duhet në të ardhmen të zgjerojnë fokusin e tyre të veprimit dhe të bëhen një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve, përvojave dhe koordinimit me donatorë të tjerë dhe institucione financiare ndërkombëtare për të mbështetur procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.