Rezultatet e përmbledhura të Raportit për analizën e lokalitetit Pelenicë

Dy muaj më parë, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ndau rreth tre milionë denarë dhe investoi në hulumtime në lokalitetin Pelenicë për të përcaktuar nëse dhe sa janë të ndotura toka dhe ujërat nëntokësorë në atë vend, për të cilët kemi njohuri se janë deponuar mbeturina historike nga Ohisi dhe nga kapacitetet e tjera industriale përreth. Rezultatet e hulumtimit të kryer treguan se:

  • Në disa pika matëse në vend, ka një përqëndrim të lartë të HCH (lindanit) në shtresën mbuluese. Gjegjësisht, në një thellësi minimale më të vogël se 20 cm, janë vërejtur mbeturina ndërtimore gjithashtu edhe mbeturina nga fabrika e qelqit, dhe në një thellësi minimale prej 50 cm, mbeturina të pastra nga HCH. Demarkacioni horizontal i shtresës sipërfaqësore të kontaminuar të tokës nuk u arrit; supozohet se vëllimi i deponisë nën sipërfaqe është i ngjajshëm me vëllimin e shtresës sipërfaqësore të kontaminuar të tokës.
  • Supozimi se HCH (lindani) është hedhur në pishina betoni (sarkofagë) ka rezultuar i pasaktë, sepse gjatë hulumtimit të kryer nuk janë gjetur pishina apo formë tjetër e mbajtjes së mbeturinave HCH.
  • Sipas rezultateve, deponia përmban disa lloje të mbeturinave të rrezikshme:

–          Mbeturina të pastra HCH janë vërejtur në disa llogore, vlerësohet se përmbajnë 40,000 ton mbeturina HCH (lindan) me 6.500 ton të tjera mbeturina të përziera HCH dhe mbeturina nga fabrikat e qelqit.

Përveç HCH, mostrat përmbajnë edhe përqëndrime të larta të klorobenzeneve dhe dioksinave dhe furaneve).

–          Janë hasur shumë materiale paketimi (p.sh. qese plastike dhe letre), kryesisht bosh.

–          Është gjetur vetëm një fuçi metalike me mbeturina, fuçitë tjera mund të jenë hequr në të kaluarën dhe përmbajtja e tyre është shpërndarë në vend. Nuk ka asnjë indikacion që ka ndodhur depozitim i konsiderueshëm i mbeturinave HCH në fuçitë

e deponisë.

–          U hasën shumë mbeturina qelqi dhe lesh qelqi që vijnë nga fabrika e qelqit.

–          Në disa puse dhe llogore janë konstatuar mbeturina nga ndërtimet dhe mbeturina prishjeje.

  • Toka e paprekur, nën deponinë, është e kontaminuar, ndër të tjera, me HCH. Thellësia e tokës së kontaminuar mbetet e panjohur, dmth. me rezultatet aktuale analitike, demarkacioni vertikal nuk u arrit.
  • Ndotja në shtresën sipërfaqësore të tokës shtakton rreziqe mjedisore sepse ndotja është e pranishme në zonën e kontaktit.
  • Rezultatet e ujërave nëntokësore tregojnë se ujërat nëntokësore pranë lokacionit janë të kontaminuara dhe ekziston rreziku i migrimit të ndotësve.

Është hartuar dhe Vlerësimi i remediacionit, ku janë propozuar tre opsione rehabilitimi (minimumi, i mesëm dhe maksimal). Duke përdorur mjetin e vlerësimit të quajtur Analiza Multi-kritere e marrjes së vendimeve (MCDA), opsioni minimal u vlerësua si opsioni më i mirë. Opsioni minimal ka vlerësimin më të lartë bazuar në pikët e dhëna për përfitimet mjedisore, kostot, fizibilitetin teknik, planifikimin, rreziqet e projektit dhe ndikimin social. Me këtë opsion ata parandalojnë / kufizojnë të gjitha rreziqet mjedisore duke parandaluar migrimin e ndotësve brenda dhe jashtë zonës. Kjo arrihet duke mbuluar vendin, duke përfshirë argjinaturën, për të parandaluar kontaktin e drejtëpërdrejtë me shtresën e sipërme të tokës së ndotur dhe për të kufizuar depërtimin e ardhshëm të ujërave të stuhisë në zonë. Ujërat nëntokësore të ndotura freatike dhe ujërat nëntokësore të kontaminuara të akuifereve do të monitorohen me qëllim që të përcaktohen kufizimet e mundshme në përdorimin e ujërave nëntokësore freatike dhe akuiferëve bazuar në rezultatet e monitorimit.

Kriteret që janë marrë parasysh në procesin e MCDA-së janë:

1. Reduktimi i rrezikut i arritur nga remediacioni

2. Përfitimet mjedisore të remediacionit

3. Kostot e remediacionit

4. Planifikimi i remediacionit

5. Fizibiliteti teknik i teknikës së remediacionit

6. Faktori i rrezikut të remediacionit

7. Ndikimi social i remediacionit