Në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë,u mbajt sot një konferencë donatorësh për të kërkuar ndihmë financiare dhe teknike nga donatorët ndërkombëtarë në luftën kundër ndotjes së ajrit dhe zbatimin e planit dyvjeçar kombëtar, i cili parashikon reduktim të ndotjes për 50% .
Fondet kombëtare të siguruara nga Buxheti nuk janë të mjaftueshme për të zbatuar Planin për luftë kundër ndotjes së ajrit, ndërsa nevojitet edhendihmë teknike dhe shkëmbim i përvojave pozitive nga vendet evropiane në përballjen me këtë problemglobal.
“Ndotja e ajrit është një nga sfidat më komplekse, me të cilat përballet qeveria, për të cilën nuk ka zgjidhje magjike ad-hoc, por vetëm nëpërmjet një strategjie të qëndrueshme dhe afatgjate mund të përballemi me këtë sfidë,” – tha në fjalën e tij të hapjes, zëvendëskryeministri për çështje evropiane dhe koordinator kombëtar i ndihmës së jashtme Bujar Osmani, duke nënvizuar se bëhet fjalë për një proces shumë të shtrenjtë, për të cilin pritet përkrahje e konsiderueshme edhe nga donatorë të shumtë në zbatimin e përshpejtuar të Programit të Qeverisë.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraku, theksoi urgjencën e sfidës, duke vënë në pah se në dekadën e kaluar, disa qytete të vendit, veçanërisht Shkupi, Tetova dhe Manastiri janë ndër 10 qytetet më të ndotura në Evropë. Duraku theksoi para donatorëve se Ministria është duke punuar tashmë me disa donatorë në shumë iniciativa dhe pret që programi i qeverisë t’i tregojë rezultatet e para në dy vitet e ardhshme si bazë për ndërtimin e strategjisë afatgjate për përballje të plotë me këtë problem.
“Masat për të cilat tani kërkojmë mjete duhet të sigurojnë një reduktim të ndotjes në qytetet e mëdha edhe deri në 50%, që është një pikë referimi e vërtetë për të kontrolluar suksesin e këtij programi, si dhe njëbazë për përmirësimin e tij në një strategji afatgjatë”, tha Duraku.
– Qytetarët nuk duan të ndotin, por ne duhet t’i ndihmojmë ata dhe do ta bëjmë këtë me subvencione për lëndët djegëse ekologjike, duke rritur efikasitetin e energjisë në ndërtesë, duke zëvendësuar stufat me qymyr dhe shpresoj se do të marrim mbështetje konsensuale në Parlament që të miratohet një ligj që ndalon përdorimin e qymyrit si një burim ngrohjeje.
Ajo do të jetë një masë tejet e dobishme që nuk duhet të përdoret në aspektin e lëndës djegëse më të lirë, por në aspektin e mbrojtjes së mjedisit jetësor si një nga komponentët kryesorë – tha zëvendës- ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe koordinator i grupit punues ndërministror për përballje me ndotjen e ajrit Jani Makraduli. Sipas tij, zëvendësimi i sistemeve të vjetra dhe joekologjike të ngrohjes do të japë rezultatin më të shpejtë lidhur me ndotjen, sepse, siç theksoi, katër studime të ndryshme kanë treguar se rreth 46 për qind në ndotje bëjnë pjesë amvisëritë që nuk ngrohen vetëm me dru dhe qymyr, por përdorin edhe plastikë dhe goma.
Makraduli shtoi se në luftën kundër ndotjes është e nevojshme të përfshihen të gjitha palët e interesuara në shtet duke filluar nga institucionet deri te sektori joqeveritar dhe qytetarët. Ai gjithashtu vuri në dukje pastrimin e deponive, mbjelljen e fidanëve, intensifikimin e inspektimeve dhe sekuestrimin e lëndëve djegëse të ngrohjes jo-ekologjike si masa të rëndësishme në menaxhimin efektiv të ndotjes së ajrit.
Në konferencën e donatorëve u miratuan konkluzione mbi koordinimin e ndihmës së huaj dedikuar për përballjeme ndotjene ajrit si dhe intensifikimin e komunikimit me qëllim që të shpërndahen në mënyrë efektive mjetet financiare.