(21.03.2015) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi dhe kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati, sot, u kyçën në aksionin për pastrimin e mbeturinave në kanioni Matkë me çka, komuna e Sarajit e filloi fushatën pranverore për pastrimin e mbeturinave të deponuara në mënyrë të parregullt nëpër të gjitha vendbanimet në këtë komunë.
Duke e përshëndetur iniciativën e kryetarit të komunës për realizimin e kësaj fushate, ministri Izairi potencoi se për pastrimin e përhershëm të deponive të egra nuk mjaftojnë aktivitetet e pushtetit qendror dhe lokal por është e nevojshme edhe kultivimi i një vetëdije të lartë , se çdo individ duhet me përgjegjësi të sillet edhe me rrethin e mjedisit dhe me mbeturinat të cilat ai vet i krijon.
– Është fakt se ne mund ti miratojmë ligjet më bashkëkohore , shërbimet komunale munden ta kryejnë në mënyrë të përsosur punën e tyre për grumbullimin dhe mënjanimin e mbeturinave, ndërsa sërish të jemi të rrethuar me grumbull të mbeturinave sepse asnjë shërbim nuk mund të grumbullojë aq, sa një njeri i papërgjegjshëm mund të prodhojë – tha ministri Izairi.
Kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati theksoi se në fillim të prillit do të realizohet aksioni për pastrimin e deponisë së egër në f. Rashçë, ndërsa deri në fund të vitit do të pastrohen depozitë edhe në vendbanimet e tjera në këtë komunë.