Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki, sot mori pjesë në Konferencën e eko-investimeve për cilësinë e ajrit (Ekoforumi 21 për eko-investime) i cili zhvillohet sot dhe nesër në Sofje.
Konferenca organizohet në kuadër të kryesisë bullgare të Këshillit të Evropës dhe synon t’i shqyrtojë zgjidhjet eko-inovative për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Forumi i bashkon kompanitë dhe autoritetet publike që tashmë kanë arritur të zhvillojnë dhe zbatojnë teknologji të reja efikase ose modele inovative të biznesit dhe menaxhimit, si dhe ata që kërkojnë zgjidhje dhe praktika të tilla.
U diskutua gjithashtu se si do të sigurohej financimi për zgjidhjet eko-inovative.
Kjo ngjarje organizohet bashkërisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Mjedisin Jetësor dhe Ministria e Mjedisit dhe Ujërave të Republikës së Bullgarisë.
Në kuadër të vizitës ministri Durakirealizoi takim pune me ministrin bullgar të Mjedisit dhe Ujërave Neno Dimov,në të cilin u diskutuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në mjedisin jetësor në mes të dy ministrive. Interes i veçantë iu kushtua përvojave pozitive të Sofjes që ka krijuar një sistem modern dhe të integruar për menaxhimin e mbeturinave komunale që i plotëson kërkesat e legjislacionit evropian të mbeturinave. Pas takimit, ministri Duraki e vizitoi kompaninë komunale për menaxhimin e mbeturinave ku u takua me drejtorin e kompanisë dhe ekipin e komunës.