(21.02.2017) – Komisioni Evropian i zbuloi finalistët për çmimin e Javës evropiane të mobilitetit për vitin 2016. Këtë vit Shkupi, së bashku me Malmen (Suedi) dhe Lisbonën (Portugali) do të garojë për vendin e parë, ndërsa fituesi do të shpallet nga komisarja evropiane e transportit Violeta Bulc, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit që do të mbahet në Bruksel më 20 mars 2017.
Теmа e fushatës së Javës evropiane të mobilitetit 2016 ishte “Mobiliteti i zgjuar dhe i qëndrueshëm-investim për Evropën“, ndërsa titulli i thirrjes për aksion ishte “Mobiliteti i zgjuar. Ekonomi e fuqishme”. Një komision i pavarur i ekspertëve të mobilitetit dhe transportit , prej gjithsej 63 aplikimeve nga 23 shtete të ndryshme bëri përzgjedhjen e ngushtë prej 10 kandidatësh, prej të cilëve janë zgjedhur tre super finalistët. Në përzgjedhjen më të ngushtë krahas Shkupit, Malmes dhe Lisbonës, hynë edhe Bjalistoku (Poloni), Krushevci (Serbi), Palma (Spanjë). Praga (Çeki), Samos (Greqi), Sofja (Bullgari) dhe Valencia (Spanjë).
Qytetet e përzgjedhura njihen për vizionin dhe masat afatgjata për gjetjen e sistemeve të qëndrueshme transportuese urbane , qasjen e integruar, komunikimin e mirë dhe përfshirjen e publikut në zhvillimin e sjelljes së qëndrueshme të transportit.
Qyteti i Shkupit u përfshi në këtë nismë evropiane që në vitin 2002, ndërsa suksesi i tij i fundit është në vitin 2014 kur për shkak të aktiviteteve të shumta dhe masave permanente për zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të transportit u nominua ndër 10-të qytetet më të mira evropiane. Sivjet me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në rolin e koordinatorit nacional, Delegacioni Evropian në Maqedoni UNDP dhe partnerë tjerë të shumtë, Qyteti gjatë tërë javës në realizimin e fushatës i promovoi aktivitetet e shumta të realizuara gjatë vitit. Mes tjerash u promovuan korsi të reja për biçikleta, përdorimi i automjeteve elektrike dhe hibride, u promovuan zgjidhje të reja të transportit , masa të shumta për përmirësimin e transportit publik, u popullarizua çiklizmi dhe shprehitë e shëndosha rekreative me të cilat nga ana tjetër zhvillohen ekonomite lokale dhe u promovua projekti për gjetjen një sistemi për ndarjen e automjeteve në një mjedis të qytetit urban.