Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, hapi punëtorinë 4-ditore të GEF-it me titull “Projektet e partneritetit të GEF-it për gjenerimin e përfitimeve globale mjedisore”. Punëtoria e GEF mundëson praninë e përfaqësuesve nga 16 vende nga rajonet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore.
Punëtoria synon shkëmbimin e përbashkët të përvojave nga zhvillimi dhe zbatimi i projekteve të GEF ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, si dhe integrimin e tyre në politikat kombëtare.
“Asnjëherë në historinë e njerëzimit bota nuk është përballur me kaq shumë kërcënime mjedisore. Ndryshimet klimatike tani më njihen si gjendje emergjente klimatike”. Ne po humbasim biodiversitetin me një shkallë alarmante. Oqeanet, detet dhe lumenjtë po mbyten nga plastika dhe ne vazhdojmë të prodhojmë kimikate toksike që janë të dëmshme për njerëzit dhe kafshët e egra. Për miliona njerëz, qasja në ujë të freskët dhe kushte sanitare është një sfidë e madhe. Unë besoj fuqimisht se gjatë kësaj punëtorie të gjithë do të kemi një mundësi unike që të paktën të inicojmë aktivitete për t’u marrë me disa nga kërcënimet më urgjente mjedisore, të cilat njihen me termin “Kriza e trefishtë planetare”, për të shkëmbyer përvoja dhe praktika të mira nga vendet tuaja dhe rajoni”, tha Shukova në fjalimin e saj.