Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Shoqërinë Ekologjike Maqedonase, organizoi punëtori për prezantimin e versionit punues të Propozim-Ligjit për Planifikim Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si pjesë e projektit “Përmirësimi i lidhshmërisë në Brezin e Gjelbër Ballkanik”.
Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi i versionit punues të Propozim-Ligjit para ekspertëve përkatës nga fusha e planifikimit hapësinor dhe diskutimi i përmbajtjes së Propozimit, me qëllim që të dëgjohen mendimet, sugjerimet dhe vërejtjet për të hartuar një draft-Ligj të mire dhe solid për planifikimin hapësinor.
“Ky paraqet një hap vendimtar për të bërë ndryshime të rëndësishme pozitive në fushën e planifikimit hapësinor në vendin tonë dhe në qasjen tonë ndaj zhvillimit të qëndrueshëm. Qëllimi i hartimit të Ligjit të ri për Planifikim Hapësinor nuk ishte vetëm plotësimi i vakuumit në legjislacion, dmth të ndajmë planifikimin urban nga planifikimi hapësinor, por edhe të prezantojmë koncepte dhe standarde të reja si pjesë e rregullores sonë ekzistuese” theksoi ministrja Shukova në fjalën e saj hyrëse, duke theksuar se përfshin më shumë koncepte të reja dhe aktuale në planifikimin hapësinor në Maqedoninë e Veriut, siç është koncepti i Infrastrukturës së Gjelbër, mospushtimi i zonave të reja (sidomos bujqësore) me urbanizim (No-net-land-take), reciklimi i tokës, integrimi i ndryshimeve klimatike në planifikimin hapësinor etj.
Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe udhëheqës i Sektorit për Planifikim Hapësinor, Nebi Rexhepi, duke prezantuar qëllimet, përmbajtjen dhe strukturën e punëtorisë theksoi “Qëllimi ynë sot si MMJPH është të diskutojmë tekstin e propozuar punues të draft-Ligjit për Planifikim Hapësinor. Presim që ky ligj të bëhet ligji i parë i veçantë për planifikimin hapësinor në vendin tonë dhe për këtë jemi këtu për të kontribuar në përmirësimin e tij, për të mirën e përbashkët dhe të përgjithshme. Në këtë punëtori për dialog dhe shkëmbim mendimesh, çdo koment apo propozim do të jetë i rëndësishëm për zhvillimin e versionit përfundimtar të Ligjit. Me pjesëmarrjen aktive të të gjithëve, jemi të sigurt se do të arrijmë të krijojmë një ligj që do t’u përshtatet kushteve dhe nevojave tona moderne dhe që do të sigurojë një të ardhme të denjë për brezat e ardhshëm”.
Plani hapësinor është një dokument multidisiplinor, detyra e të cilit është të integrojë dhe harmonizojë politikat e ndryshme sektoriale dhe të ofrojë udhëzime të përshtatshme për zhvillim gjithëpërfshirës, koheziv, të pranueshëm, duke marrë parasysh qëndrueshmërinë, me theks të veçantë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, natyrës, shëndetit të njerëzve, dhe aspektit gjithnjë e më aktual të ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe zbutjes së tij.
Bëhet fjalë për një dokument planifikues afatgjatë që miratoher me vlefshmëri të paktën 15 vjet dhe për këtë arsye është e një rëndësie të veçantë që procesi i përgatitjes dhe miratimit të jetë sa më transparent dhe gjithëpërfshirës.