Sot, zyrtarisht u lançua projekti i ri i GEF/UNEP “Promovimi i menaxhimit të qëndrueshëm të tokës përmes përforcimit të kornizës ligjore dhe asaj institucionale, ngritjen e kapaciteteve dhe restaurimin e zonave malore më të rrezikuara”, drejtuar nga ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, Koordinatorjae PërhershmeeOKB – së në Maqedoninë e Veriut, Rosana Mishel Duxhiak dhe drejtori Rajonal për Evropën, Zyrën Rajonale të UNEP-it për Evropën, Bruno Pozi.
– Projekti është krijuar për të na mundësuar arritjen e qëllimeve globale për zhvillim të qëndrueshëm, për të na ndihmuar në përpjekjet tona për të zbatuar Deklaratën e Sofjes dhe Agjendën për një Marrëveshje të Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, si dhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare, me qëllim që të japim kontributin tonë në mbrojtjen globale të mjedisit – tha ministri Nuredini.
Sipas Duxhiakut, me realizimin e këtij Projekti, vendi ynë po bën një hap përpara drejt arritjes së qëllimeve të përbashkëta globale për restaurimin e ekosistemeve dhe të jetuarit në harmoni me natyrën.
Duke marrë parasysh përvojat e kaluara të suksesshme në vend, Bruno Pozi shprehu kënaqësinë që ky projekt do të kontribuojë më tej në zbatimin e detyrimeve të tre Konventave në Rio, veçanërisht në drejtim të neutralitetit për degradimin e tokës dhe ruajtjen e ekosistemeve të vlefshme.
Qëllimi i aktiviteteve të projektit është të zvogëlojë ndikimet e degradimit të tokës dhe presioneve nga përdorimi i tokës në burimet natyrore në zonat malore. Me një afat kohor katër-vjeçar të zbatimit, projekti pritet të mbështesë zhvillimin dhe forcimin e politikës kombëtare dhe kapaciteteve institucionale për menaxhim të qëndrueshëm të tokës dhe të kontribuojë në arritjen e qëllimit kombëtar të neutralizimit të degradimit të tokës përmes menaxhimit të integruar me peisazhet në ekosistemet malore veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut.
Projekti financohet nga Fondi Global Ekologjik (GEF) dhe zbatohet përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.