Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, drejtoresha e Agjencisë për Planifikim Hapësinor Andrijana Andreeva dhe udhëheqësit e tetë Qendrave për Zhvillimin e Rajoneve të Planifikimit, sot nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin të gjitha palët shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në procesin e hartimit të Planit hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Nevoja për hartimin e një plani të ri hapësinor lind nga skadimi i dokumentit planifikues ekzistues, por edhe për shkak të ndryshimit të kushteve dhe nevojave moderne të shoqërisë sonë. Plani hapësinor paraqet një strategji kombëtare për zhvillimin hapësinor dhe ofron udhëzime për organizimin, përdorimin, mbrojtjen, rregullimin dhe menaxhimin e hapësirës së Shtetit. Procesi i hartimit të Planit Hapësinor do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të përfshijë të gjitha institucionet e rëndësishme në vend, përfshirë edhe sektorin publik joqeveritar, ndërsa do të harmonizohet me planifikimin hapësinor rajonal përmes konsultimeve me vendet fqinje dhe koordinimin e aktiviteteve kufitare dhe ndërkufitare .
I gjithë procesi do të mbështetet nga legjislacioni i ri në fushën e planifikimit hapësinor për të cilin do të konsultohen edhe ekspertë vendas dhe të huaj.
– Plani i ri hapësinor i Shtetit do të jetë modern dhe vizionar dhe do të mundësojë zhvillimin socio-ekonomik afatgjatë dhe të qëndrueshëm, parandalimin dhe kontrollin e ndikimit të tij të dëmshëm në mjedisin jetësor dhe do të vendosë një ekuilibër midis hapësirës në dispozicion, zhvillimit ekonomik dhe demografik, burimeve natyrore dhe kulturore. Gjithashtu, me metodologjinë e re parashikohen mekanizma për përballjeme ndryshimet klimatike si dhe harmonizimin e politikave sektoriale dhe gjetjen e zgjidhjeve më të përshtatshme – theksoi me këtë rast ministri Nuredini.
Drejtoreshae Agjencisë së Planifikimit Hapësinor Andrijana Andreeva, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë e planit hapësinor duke e quajtur atë “kushtetutë në planifikim” dhe gatishmërinë për të angazhuar të gjitha burimet e disponueshme profesionale. Ajo gjithashtu vuri në dukje rolin e rëndësishëm të rajoneve të planifikimit dhe pjesëmarrjen e tyre në këtë proces që lind jo vetëm nga fakti që për secilin rajon planifikues do të hartohet një plan i veçantë hapësinor si një përpunim i planit kombëtar, por edhe për shkak të rolit të tyre në përpjekjet për të arritur një zhvillim të ekuilibruar rajonal në vend.
Porositëse e Planit është Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e cila koordinon të gjithë procedurën për hartimin dhe zbaton procedurat për miratimin e Planit në përputhje me legjislacionin dhe Metodologjinë për hartimin e Planit hapësinor, ndërsa hartues i Plani hapësinor është Agjencia e Planifikimit Hapësinor.