Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, mbajti fjalim përshëndetës në panel diskutimin e organizuar në kuadër të projektit “Fuqia kompjuterike bëhet e gjelbër” që realizohet në kuadër të projektit “Interreg”, bashkëfinancuar nga BE-ka përmes programit të bashkëpunimit ndërkufitar “Ballkan-Mesdhetar” për periudhën 2014-2020.
Aktiviteti i sotëm u nda në dy panele: “Fuqia kompjuterike bëhet e gjelbër – Go Green” dhe “Sfidat për aplikimin e digjitalizimit të gjelbër në sektorin privat dhe social”, në kuadër të të cilëve shumë ekspertë nga vendi dhe rajoni ndanë përvojat, pikëpamjet dhe vizionet e tyre për transformimin digjital të sektorit publik dhe privat dhe gjurmën e tyre mjedisore dhe energjetike.
Në fjalimin e saj, Oxhaklieska theksoi se digjitalizimi i të dhënave për kushtet mjedisore është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe theksoi se duhet të ndjekim ndryshimet e shpejta në botën digjitale dhe t’u përshtatemi atyre. Në këtë mënyrë, qasja në informacione lidhur me cilësinë e mjedisit jetësor bëhet më e thjeshtë dhe lehtësisht e aksesueshme për qytetarët. Nga ana tjetër, për ne si institucion është një bazë e mirë për të krijuar politika dhe masa për përballimin e ndotjes. Me digjitalizimin, transferimi i të dhënave kryhet lehtësisht jo vetëm në vend, por edhe në nivel rajonal dhe global.
Në hapje të ngjarjes fjalim kishin edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov, ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu dhe drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi,si dhe zëvendës-shefi i Misionit të Republikës së Italisë në vendin tonë, Mario De Rosa, dhe menaxheri i programit në Delegacionin e Bashkimit Evropian, Karl Giacinti.
Qëllimi kryesor i projektit “Fuqia kompjuterike bëhet e gjelbër” është të promovojë adoptimin e një qasjeje të integruar dhe krijimin e një kuadri për zbatimin e iniciativave të kombinuara “të gjelbërta” dhe të transformimit digjital në nivel kombëtar dhe transnacional, të cilat do të shpiejnë në një funksionim “më të gjelbër” të infrastrukturës digjitale duke përdorur qendrat e të dhënave.
Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe vendet pjesëmarrëse, ndërsa nga viti 2021 zbatohet nga Byroja për Zhvillim Rajonal në Shkup, në bashkëpunim me Rajonin e Maqedonisë Perëndimore – Greqi, Odën Teknike të Greqisë, Odën Ekonomike dhe Industriale Greqi, Agjencia e Energjisë – Greqi, Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit – Shqipëri, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë – Shqipëri, Universiteti i Pyjeve – Bullgari, dhe mbështetet financiarisht nga Programi Balkan Med.