Me takimin e sotëm të Grupit Punues Intersektoral për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit (GPI), i kryesuar nga zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor Jani Makraduli, vazhduan përpjekjet e institucioneve kompetente për koordinim dhe veprim të përbashkët në drejtim të monitorimit të situatës dhe përcaktimit të rekomandimeve dhe masave të duhura që duhet të ndërmeren për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Në takimin e punës u miratua një mekanizëm për veprim të menjëhershëm në rast të gjendjes alarmuese me cilësinë e ajrit. U diskutua gjithashtu mbi miratimin e masave afatshkurtra në tejkalimin e pragut të alarmit dhe u përcaktuan edhe masat prioritare afatgjata për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Në këtë takim gjithashtu u miratuan edhe propozim ndryshimet e Dekretit për vlerat kufitare për nivelet dhe llojet e ndotësve në ajrin e ambientit dhe pragjet alarmuese, afatet për arritjen e vlerave kufitare, kufijtë për tolerancën për vlerën kufitare, vlerat e synuara dhe qëllimet afatgjata.