Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini realizoi takim pune me drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Shkup, Andi Aranitasi në të cilin takim u diskutua për aplikimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për kredi prej 55 milionë euro për vendosjen e një sistemi rajonal për menaxhim të integruar me mbeturinat në pesë rajonet planore. Kredia është paracaktuar për ndërtimin e infrastrukturës bazë, përkatësisht deponive rajonale, stacionet e transferimit, prokurimin e kontejnerëve dhe automjeteve. Aktualisht po punohet në finalizimin e dokumentacionit të nevojshëm për të siguruar kredinë.
Gjithashtu u diskutua edhe për aplikacionet për kredi për projektin: Zgjidhjet energjetike për të përmirësuar shpenzimet operative dhe karakteristikat e stacioneve për pastrimin e ujërave të zeza në Maqedoninë e Veriut.