Ministri Nuredini realizoi takimin e parë të punës me kryetarin e sapoemëruar të Ohrit Kiril Pecakov, ku biseduan për aktivitetet aktuale dhe të planifikuara në këtë komunë.
Ministri Nuredini theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror për realizimin e projekteve kyçe infrastrukturore në këtë rajon, për çka kryetari i komunës shprehu gatishmërinë. U theksua rëndësia e funksionimit të sistemit kolektor për grumbullimin e ujërave të zeza, investimi në rrjetin e kanalizimeve, vendosja e sistemit rajonal të vetëqëndrueshëm për menaxhimin me mbeturinat dhe zëvendësimi i mënyrave jo-ekologjike të ngrohjes së ndërtesave publike.
Sfidë për komunën e Ohrit është mbrojtja e trashëgimisë së paçmuar natyrore të Liqenit të Ohrit në ekuilibër me zhvillimin socio-ekonomik, mbi të gjitha turizmin e qëndrueshëm. Në këtë drejtim, u diskutua edhe për progresin në procedurën e shpalljes së Kënetës së Studençicës për zonë të mbrojtur dhe rivlerësimi i Planit të Menaxhimit me Liqenin e Ohrit, dhe në lidhje me rekomandimet e Komitetit të UNESCO-s.