Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, si një nga folësit në Forumin Ekonomik të mbajtur dje në Shkup, foli për mundësitë për rimëkëmje të qëndrueshme dhe të gjelbër të vendit nga kriza KOVID.
Sipas Nuredinit,kriza KOVID ishte një test stresi për të gjitha institucionet dhe askush nga ne nuk ishte i përgatitur. Por nga ana tjetër, hapi mundësi dhe sfidë për të bërë rimëkëmbjen e ekonomisë në mënyrë “të gjelbër”, të qëndrueshme.
Me këtë rast, Nuredini vuri në dukje kontributet e rishikuara kombëtare në Marrëveshjen e Parisit, ku tashmë është projektuar një set prej 63 masash, të cilat, megjithëse kanë të bëjnë me arritjen e qëllimit kombëtar për uljen e emetimeve të gazeve serë për 51%, gjithashtu janë të zbatueshme edhe si masa rikuperimi nga kriza KOVID për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të vendit.
“Duhet të kuptohet që këto masa hapin mundësi për vende të reja pune, për vende punë të gjelbra, nxitet sektori privat i cili tashmë njeh lidhjen e zhvillimit ekonomik me ndryshimet në qasjen dhe zgjedhjen e teknologjive të reja, përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe ndikohet në ndryshimin e sjelljes së konsumatorit. Në fund të fundit, masat janë të projektuara për të zhvilluar bizneset lokale, intensifikojnë punën, zvogëlojnë koston e procesit të prodhimit, krijojnë vende të reja pune dhe inicojnëshfrytëzimin e materialeve të prodhuara në vend, që në vetvete do të thotë zhvillim i qëndrueshëm”, tha ministri.
Përcaktimin për implementimin e Agjendës së Gjelbër, Nuredini e karakterizoi si përcaktim për të ndjekur rrugën që çon drejt Marrëveshjessë Gjelbër Evropiane. Vendi ynë tashmë ka zbatuar një pjesë të qëllimeve të Axhendës së Gjelbër, janë hapur mundësi më të mëdha për zhvillimin e bashkëpunimit rajonal dhe është rritur qasja në fondet e reja të investimeve.
Nuredini gjithashtu vuri në pah edhe mbeturinat si një nga çështjet kryesore aktuale në mjedisin jetësor, duke përmendur se tani më në fund kemi një qasje sistematike në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Janë krijuar politika dhe rregullore të reja për zonën, janë siguruar fonde për zbatimin e sistemit rajonal të menaxhimit të mbetjeve dhe janë siguruar kushte për zhvillimin e ekonomisë qarkore, riciklimin, ripërdorimin e materialeve si lëndë të parë sekondare dhe hapjen e vendeve reja të punës të gjelbra në këtë zonë.