Laboratori për Analizë Kromatografike të Institutit të Kimisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Universiteti Shën Kirili dhe Metodi, vë në funksion paisjen e re analitike që do të përdoret për monitorimin dhe kontrollin e pavarur të efekteve të pastrimit të lindanit në OHIS në mjedisin jetësor. Pajisja me vlerë 94,000 dollarë u dhurua nga Mbretëria e Norvegjisë në kuadër të projektit “Mbështetje Nordike për Progresin e Maqedonisë së Veriut” të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit – UNOPS.
“Gjatë dy viteve të fundit, Norvegjia ka siguruar mbështetje të konsiderueshme për procesin e pastrimit të lindanit në OHIS. Së bashku me qeverinë, ne kemi krijuar Fondin Multi-Partneritet për mjedisin jetësor për OHIS, i cili menaxhohet nga UNOPS. Deri më tani, ne kemi dhuruar 1.5 milion euro në fondin që synon të menaxhojë këtë operacion kompleks pastrimi. Ne jemi të bindur që me mbështetjen tonë, si dhe mbështetjen e komunitetit më të gjerë, kjo çështje shumëvjeçare nga fusha e mjedisit jetësor do të zgjidhet. gjithashtu besojmë se është e rëndësishme të kemi një monitorim të vendosur mirë të procesit të pastrimit dhe kjo është arsyeja pse ne po forcojmë kapacitetin e laboratorit, i cili do të jetë në gjendje të kryejë analiza të rëndësishme të efekteve në mjedisin jetësor”, tha z. Geir Johansen, Zëvendës Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë.
Laboratori për analiza kromatografike mori një larmi pajisjesh të tilla si kromatograf me gaz, kampionë, koncentrues, pajisje laboratorike, tretës dhe standarde që do të mundësojnë monitorim të rregullt të emetimeve të ndotësve në ajër dhe tokë në përputhje me planin e monitorimit për largimin e lindanit nga OHIS. Në të njëjtën kohë, pajisjet do të forcojnë kapacitetet lokale për mbrojtjen e mjedisit jetësor pasi që laboratori do të funksionojë gjithashtu si një laborator kërkimor për zhvillimin e metodave për analizën e pesticideve dhe ndotësve të tjerë organikë dhe do të ofrojë shërbime që mund të përdoren nga palët publike për të monitoruar mjedisin jetësor si dhe komunitetin më të gjerë.
– Kam kënaqësinë të ju njoftoj se është konfirmuar që dy agjenci të Kombeve të Bashkuara (UNIDO dhe UNOPS) do të punojnë së bashku në sanimin e tokës së ndotur. UNIDO do të kryejë remediacionin fillestar të 450 tonëve izomerë të heksaklorocikloheksanit (HCH) dhe 200 tonë tokë të kontaminuar (HCH) nga pishina e vogël në OHIS, dhe përveç kësaj UNOPS, përmes Fondit Mjedisor Multi-Partneritet dhe Projektit Nordik të mbështetjes për progresin e Maqedonisë së Veriut do të jetë përgjegjës për remediacionin e 240 tonëve HCH dhe 653 tonëve tokë të kontaminuar me HCH. Presim që puna në terren të fillojë me aktivitete fillestare siç është pastrimi I mjedisit, ne korrik. Gjatë pastrimit, ne do të informojmë vazhdimisht publikun për progresin e të gjithë procesit – njoftoi Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.
Ambasada Norvegjeze gjithashtu siguroi mbështetje për procesin e akreditimit të laboratorit, i cili do të zbatohet së shpejti. Kjo do të konfirmojë që metodat e përdorura në laborator janë në përputhje me standardet më të larta dhe do të lëshohet një njohje zyrtare për zbatimin e këtij lloji të matjeve.
“Qëllimi kryesor i laboratorit do të jetë kontrolli mjedisor gjatë pastrimit të lindanit të mbetur dhe izomereve të tij nga rrethi OHIS dhe për atë qëllim ky laborator është i pajisur dhe po përgatitet për akreditim sipas standardit për laboratorët e testimit. Qëllimi ynë afatgjatë, si një institucion i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, është të rindërtojmë dhe forcojmë vazhdimisht kapacitetet e laboratorit me njerëz dhe pajisje për të kontribuar në arsimimin e kimistëve kompetentë për laboratorët në industri dhe institucione, si dhe të përfshihemi në programet për monitorim të ndotësve organik në mjedisin jetësor si një nga mjetet e nevojshme për t’u marrë me ndotjen,” tha profesoresha Marina Stefova, udhëheqëse e Laboratorit për Analizë Kromatografike.