Shukova: Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal është kyç në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike
Si pjesë e panelit ministror me temë: “Zhvillimi i një qasjeje të përbashkët për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike në Ballkanin Perëndimor”, që u mbajt në ditën e pare të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm në Prishtinë, Republika e Kosovës, ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal janë kyç në në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe se duhet të aplikojmë një qasje të integruar ndaj këtij problemi.
“Shkëmbimi i përvojave pozitive mes vendeve të rajonit do të na ndihmojë të tejkalojmë sfidat mjedisore sepse ajri, uji dhe klima nuk njohin kufij”, theksoi Shukova.
Ajo tha gjithashtu se me nënshkrimin e Deklaratës së Sofjes për Agjendën e Gjelbër, vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, u përkushtuan të punojnë së bashku në finalizimin e procesit të ratifikimit të Konventës për Ndotjen e Ajrit Afatgjatë Ndërkufitar, si dhe për të zhvilluar dhe zbatuar strategji për cilësinë e ajrit dhe për të vendosur në funksion një sistem të përshtatshëm për monitorimin e cilësisë së ajrit.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku drejt arritjes së qëllimeve të vitit 2050 për një kontinent neutral ndaj karbonit, së bashku me BE-në, duke krijuar dhe zbatuar një politikë ambicioze klimatike dhe duke reformuar sektorët e energjisë dhe transportit si burime kyçe të ndotjes së ajrit dhe gazeve serrë, ndikimi i të cilëve ndihet si në nivel lokal ashtu edhe në nivel kombëtar, rajonal dhe global” – tha Shukova.
Pikëpamja e përbashkët ishte se shkëmbimi i përvojave dhe praktikave positive midis vendeve të rajonit është i nevojshëm në drejtim të përmbushjes më të shpejtë dhe më efikase të synimeve të përcaktuara klimatike dhe objektivave mjedisore në përgjithësi.
Në këtë sesion, në kuadër të aktiviteteve të pjesës së parë të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm kushtuar “Lidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor për tranzicionin drejt rritjes së qëndrueshme dhe rezistente”, përveç Shukovës, morën pjesë edhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Kosovës, Liburn Aliu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor të Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Drejtorisë për Aktivitete Klimatike në Ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kroacisë, Dunja Drvar.