Me takimin e sotëm të ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Sadulla Duraki dhe zëvendësministrit Jani Makraduli me kryetarin e Qytetit të Shkupit Petre Shilegov dhe kryetarët e komunave të rajonit të Shkupit filloi koordinimi dhe harmonizimi i aktiviteteve për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit ambiental.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni Luiza Vinton, përfaqësues të Inspektoratit shtetëror të mjedisit jetësor dhe të Këshillit inspektues.
Të dhënat për gjendjen momentale, për ingjerencat ligjore, planet aktuale, problemet dhe përvojat e deritashme, propozim masat dhe udhërrëfyesit si dhe definimi i veprimit dhe komunikimit të ardhshëm, u prezentuan nga Qendra informative e Maqedonisë për mjedis jetësor. Nga UNDP-ja u prezentuan të dhënat dhe analizat që dolën nga rezultatet e hulumtimit për llojin e ngrohjes që e shfrytëzojnë qytetarët e Shkupit dhe luginës së Shkupit.
Për të gjetur zgjidhje për ndotjen e ajrit paraprakisht duhet t’i gjejmë arsyet. Hulumitimi ynë më i ri tregon se ngrohja është arsyeja për një të tretën e ndotjes. Gjatë një sezoni të ngrohjes në Shkup digjen 317 000 tonë dru, që është e barabartë me numrin e të gjithë drunjve në Vodno – deklaroi Luiza Vinton.
Të pranishmit u pajtuan se për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit, sidomos në periudhën e dimrit nevojitet qasje e përbashkët, përpjekje të përforcuara si dhe aktivitete dhe politika të harmonizuara të të gjitha institucioneve, komunave , organizatave joqeveritare , duke i përfshirë edhe vetë qytetarët, njohuritë, shprehitë dhe sjelljet e të cilëve në masë të madhe diktojnë nivelin e ndotjes së ajrit.
U diskutua edhe për koordinimin e mbikëqyrjeve inspektuese në nivel lokal dhe nacional. Sipas përfaqësuesve të Inspektoratit shtetëror të mjedisit jetësor, aktivitetet në terren tregojnë se ekziston harmonizim i pamjaftueshëm në veprimin e Inspektoratit shtetëror dhe atyre lokale dhe kjo krijon boshllëqe dhe mungesë të përditshme të mbulimit të një numri të madh të pikave të nxehta. Ky është tregues i qartë se për t’u siguruar mbrojtje efikase e shëndetit dhe mjedisit jetësor nevojitet koordinim urgjent i inspeksioneve të mjedisit jetësor. Sipas tyre, gjendja më alarmante është në Shkup, ku veprojnë madje tri nivele të inspektorateve (shtetëror, të qyteteve dhe komunale ), ndërsa rezulatati është i pakënaqshëm.
Duke pasur parasysh këtë, që nga dita e nesërme, në Qytetin e Shkupit është caktuar një takim profesional i niveleve të ndryshme të shërbimeve inspektuese.