Delegacioni qeveritar i udhëhequr nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Arjanit Hoxha dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, u takuan sot në Ankara me ministrin e Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë Bekim Pakdemirli.
Gjatë vizitës, u nënshkruan dy memorandume bashkëpunimi midis Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë në fushën e ekonomisë së ujërave dhe pylltarisë, si dhe një Marrëveshje për bashkëpunim në fushën e politikës veterinare dhe sigurisë ushqimore.
Të dy vendet, në fushën e ekonomisë së ujërave, do të bashkëpunojnë në drejtim të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore, përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimit të mundësive për investime të reja, dhe përmes zbatimit të pro-jekteve të përbashkëta do të kontribuojnë në mbrojtjen dhe shfrytëzimin e potencialit pyjor. Me arritjen e Marrëveshjes për siguri të ushqimit rregullohen kompetencat dhe detyrimet e të dy vendeve për sa i përket importit, eksportit dhe tranzitit të ushqimit dhe kafshëve, me qëllim të përmbushjes së standardeve të sigurisë dhe legjislacionin përkatës.
Në takim, ministrat Hoxha dhe Nuredini theksuan se edhe në kushtet e pandemisë globale, tregtia në vitin 2020 midis Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë u rrit që është një bazë e mirë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të përgjithshme ekonomike midis dy vendeve.
Ministri turk Pakdemirli nënvizoi se Republika e Turqisë mbetet një mbështetëse besnike e zhvillimit të përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se me dokumentet e nënshkruara vërtetohet interesi i ndërsjellë dhe korniza e fushave dhe formave të reja të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit.
Takimi i sotëm është një konfirmim i gatishmërisë së dy vendeve mike për të rritur intensitetin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave midis institucioneve, për të stimuluar interesin e sektorit privat për investime afatgjata në partneritete strategjike për zhvillim të qëndrueshëm.