Ministria dhe sektori qytetar thellojnë bashkëpunimin në mbrojtjen e mjedisit jetësor

3(18.03.2015) Kuadri drejtues i Ministrisë së Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor i udhëhequr nga ministri Nurhan Izairi, sot zhvilluan një takim më organizatat joqeveritare që veprojnë në mjedisin jetësor me qëllim të shkëmbimit të informatave, mendimeve dhe përvojave për sfidat dhe aktivitetet për mbrojtjen e mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë.

– Posaçërisht, do të doja të theksoj se qëllimi i këtij takimi është që përmes dialogut konstruktiv të shkëmbejmë informata, por edhe t’i dëgjojmë vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet tuaja. Sfidat me të cilat po përballemi në mbrojtjen e mjedisit jetësor janë me të vërtetë të mëdha dhe komplekse, ndërsa aktivitetet që po i zbatojmë dhe që në të ardhmen pritet t’i zbatojmë kërkojnë qasje serioze, angazhim të madh, por edhe dialog të mirëfilltë dhe koordinim të mirë midis pushtetit lokal dhe sektorit qytetar.

Njëkohësisht, dëshiroj të theksoj se, si edhe shumë herë deri tani, në sektorin joqeveritar kërkojmë dhe shohim partner si në nivel lokal poashtu edhe në atë nacional dhe Ju inkujaroj për komente dhe vërejtje, sepse pikëpamjet, sugjerimet dhe idetë Tuaja janë të mirëseardhura për arsye se ne jemi pjesë e një procesi të njejtë, ndërsa qëllimi ynë përfundimtar është i njejtë – mjedis jetësor i pastër dhe i shëndetshëm-theksoi ministri Izairi në fjalën hyrëse.

Në këtë takim, debat më i gjerë u zhvillua për gjendjet dhe masat që po ndërmerren për zvogëlimin e ndotjes së ajrit ambiental, për informatat më të reja për aktivitetet e JUGOHROM-it, për mundësitë e zvogëlimit të ndotjes, të shkaktuar nga automjetet e vjetruara dhe shfrytëzimi tej mase i automjeteve, ndërsa u ngritën edhe çështjet për mbrojtjen e parqeve nacionale të Mavrovës dhe Galiçicës si dhe për shpalljen e Malit Sharr për park nacional. Gjithashtu u bisedua edhe për ndërtimet e paralajmëruara në Lazaropole. Nga organizatat joqeveritare u ngrit edhe çështja rreth sistemit të tarifës ujore, për çka ministri Izairi informoi se për këtë temë do të organizohen takime plotësuese.