Me rastin e Programit për reforma ekonomike 2021-2023, i cili u dërgua në KE në datë 29 janar të vitit 2021 dhe që ka për qëllim që përmes masave konkrete reformuese të reagojë ndaj sfidave kryesore për konkurrencën e vendit, në kuadër të dialogut me Bashkimin Evropian për të përmbushur kriteret ekonomike, sot u mbajt një takim i nivelit të lartë ndërmjet ministrave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe drejtorëve të Drejtorive të Përgjithshme për zgjerimin dhe politikën fqinjësore dhe për punë dhe politikë sociale, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Ekonomisë dhe Financave të Komisionit Evropian. Fokusi në vitin 2021 do të jetë në ballafaqimin dhe tejkalimin e pasojave nga kriza e shkaktuar nga pandemia me Covid-19, si dhe vendosja e bazave për një rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike, ekonominë e gjelbër, dixhitalizimin e proceseve dhe përmirësimin e përgjithshëm të të gjitha proceseve dhe gjendjeve në shoqëri.