(22.07.2015) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, sot mbajti fjalim në takimin joformal të ministrave të mjedisit jetësor të BE-së që në kuadër të kryesimit të Luksemburgut me Këshillin e BE-së po mbahet në Luksemburg.
Në fjalimin e tij, ministri Izairi ndau përvojat e deritanishme të vendit tonë lidhur me implementimin dhe financimin e projekteve nga sfera e ndryshimeve klimatike, duke i theksuar edhe aktivitetet që janë propozuar në dokumentet nacionale të Republikës së Maqedonisë e që kanë të bëjnë me problematikën e njejtë.
Ai theksoi se lidhur me financimin e projekteve në R. e Maqedonisë që kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike, shuma më e lartë e donacioneve prej 34.4% është siguruar përmes Bashkimit Evropian dhe programeve të tij. Kombet e Bashkuara përmes programeve dhe organizatave të veta kontribuan me 11.1% në financimin e përgjithshëm, ndërsa Fondi i përgjithshëm i mjedisit jetësor kontribuoi me 9% nga konstruksioni financiar i projekteve.
Më pas, ministri Izairi nënvizoi konkluzionet e arritura në bazë të 422 projekteve të analizuara:
-Institucionet tregojnë angazhim gjithnjë e më të madh në afirmimin dhe parandalimin e rreziqeve që i sjellin ndryshimet klimatike dhe të njejtat njihen dhe gjenden në krye të agjendës së pushtetit qendror dhe lokal;
-Numri i përgjithshëm i projekteve të përfunduara, të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi e përmirësojnë rezistencën e vendit tonë në luftën kundër ndryshimeve klimatike është jashtëzakonisht i madh;
-Gjithnjë e më shumë kujdes i kushtojmë realizimit të një numri sa më të madh të projekteve ndërkufitare;
-Përvoja jonë flet se rezultate më të mira mund të arrihen vetëm me bashkëpunim të sinqertë midis të gjitha palëve të interesuara.
Rezultatet e përcjelljes së implementimit dhe analizës së përfitimeve nga implementimi i projekteve, shfrytëzues i të cilave është pushteti lokal, treguan se duhet t’i kushtohet një kujdes më i madh efikasitetit energjetik , se është e domosdoshme rritja e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe se nevojitet krijimi i kushteve për mënyra alternative të transportit. Theks i veçant duhet të vihet në parandalimin, zbutjen dhe adaptimin e efekteve nga ndryshimet klimatike dhe një sërë masash dhe aktivitetesh ku është identifikuar hapësirë për përmirësim të rezultateve nga implementimi i projekteve të realizuara. Kjo analizë sidomos ka të bëjë me objektet dhe instalimet që janë nën kontrollin e pushtetit qendror dhe lokal.
– Banorët lokal përmes organizimit të punëtorive, me botimin e materialeve edukative dhe aplikimin e masave të ndryshme stimuluese, duhet të nxiten që të jenë proaktiv dhe nga afër të njoftuar me masat që i propozon dhe zbaton pushteti qendror dhe lokal, sepse vetëm me përkushtim të plotë të të gjitha palëve të interesuara do të arrijmë t’i realizojmë qëllimet tona të përbashkëta- tha Izairi.
Sa u përket mundësivë ekonomike për krijimin e vendeve të punës të lidhura me zhvillimin e gjelbër, ministri Izairi theksoi se në kushtet e Maqedonisë, në vitin 2030 mund të pritet hapja e përafërsisht 6000 vendeve “të gjelbra” të punës, njëherësh nevojitet të bëhet vlerësimi i përfitimeve nga zbatimi i strategjive të aksioneve klimatike dhe nga bashkëpunimi midis palëve relevante.