(07.10.2015)Мinistri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, sot në Beograd, mori pjesë në Forumin e parë ndërkombëtar për reformë të sistemit për dhënie të lejeve të ndërtimit në Evropën Juglindore me temë: “Reforma në lejet e ndërtimit për rajonet më konkurruese„
Ministri Izairi mbajti fjalim në Panel I, i cili ka të bëjë me aplikimin e sistemit elektronik për dhënien e lejeve të ndërtimit.
Duke theksuar se Republika e Maqedonisë realizoi përparim të konsiderueshëm në thjeshtësimin dhe përshpejtimin e procedurës për dhënie të lejeve të ndërtimit që mundësoi konkurrencë më të madhe dhe zvogëlim të pengesave administrative, ai theksoi se mbrojtja e mjedisit jetësor paraqet pjesë integrale të procedurës për dhënien e lejeve të ndërtimit, e cila pason dhe nga zbatimi i saj i suksesshëm varet rezultati i dhënies së lejeve të ndërtimit. Më tej, në fjalimin e tij, ministri Izairi e arsyetoi procedurën për vlerësim të ndikimit të projekteve dhe planeve ndaj mjedisit jetësor, e njohur si procedurë EIA, e cila në Republikën e Maqedonisë tërësisht zbatohet që nga viti 2006 dhe e cila fillon që në fazën e idesë dhe para hartimit të projekteve themelore..
„Dëshiroj të përkujtoj se mbrojtja e mjedisit jetësor paraqet pjesë integrale të procedurës për dhënie të lejeve të ndërtimit dhe pa respektimin e saj vendimet për zhvillim nuk do të jenë të qëndrueshme. Ndoshta në fillim këto procedura dukeshin sikur po e ngadalësojnë tërë procesin e dhënies së lejeve, por pastaj u pa se vlerësimi i ndikimit të planeve dhe projekteve ndaj mjedisit jetësor dhe shëndetit të njerëzve e stimulon ardhjen e investitorëve cilësor dhe serioz në shtetin tonë”, porositi Izairi në fund të fjalimit.
Forumi ndërkombëtar hapi mundësi për ministrat përgjegjës për aktivitetet ndërtimore nga rajoni (me bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë) të shkëmbejnë përvoja dhe të diskutojnë rreth zbatimit të reformave për leje të ndërtimit me qëllim që së bashku të ndërtojnë një rajon më konkurrues.