21.12.2020, Shkup – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Shoqata e Odave Ekonomike të Maqedonisë, sot nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, duke njohur rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe urgjencën e njëkohshme për të ofruar zgjidhje efektive për çështjet e përbashkëta ekologjike që e mbështesin nevojën për zhvillim të qëndrueshëm.
Qëllimi i memorandumit është që të intensifikojë bashkëpunimin për mbrojtjen e mjedisit në nivel kombëtar, bazuar në nevojën për avancimin e përgjegjësisë së korporatave dhe llogaridhënien në fushën e mjedisit, si dhe për avancimin e mëtejshëm të rregullativës kombëtare dhe asaj ndërkombëtare për ndërmarrjet.
Kryetarja e Shoqatës së Odave Ekonomike të Maqedonisë Danela Arsovska, thekësoi se do të zhvillohet një fushatë me pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në mënyrë që të ndërmerren aktivitete të matshme dhe të drejtpërdrejta për ballafaqimin me ndryshimet klimatike, për mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit.
“Është e rëndësishme që të fillojmë iniciativa të reja të cilat synojnë krijimin e një kornize për bashkëpunim midis sektorit privat, sektorit publik dhe shoqërisë civile. Ky bashkëpunim do të mundësojë ngritjen e vetëdijes kolektive dhe individuale për ndikimin e ndotjes së mjedisit dhe punës drejt zhvillimit të një qasje serioze për përmbushjen e detyrimeve për mbrojtjen e mjedisit. Gjëja më e rëndësishme është që për herë të parë iniciativën për zvogëlimin e ndotjes do ta drejtojmë nëfillimin e vetë-rregullimit të ndërmarrjeve me një nivel të lartë të vetëdijes, dhe jo vetëm me qasjen aktuale përmes aplikimit të masave represive”, potencoi Arsovska.
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, vuri në dukje se të dy institucionet do të promovojnë krijimin, zgjerimin dhe përforcimin e bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm me qëllim të mbrojtjes së mjedisit.
“Bashkëpunimin me biznesmenët e konsiderojmë si jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke marrë parasysh rolin e tyre në përshtatjen dhe përmbushjen e qëllimeve për mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe transformimit drejt një ekonomie rrethore.” Informimi më i mirë dhe përfshirja më intensive e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zbatimin e teknologjive më të pastra dhe zhvillimin e praktikave më ekologjike, si dhe vetëdijes më të madhe të të gjithë neve për pjesën tonë, sjell angazhim dhe kontribut më të madh në përpjekjet e përbashkëta për arritjen e standardeve të mjedisit për të cilat përpiqemi,” tha Nuredini.
Të dy institucionet do të punojnë së bashku përmes aktiviteteve të bashkëpunimit për parandalimin e ndotjes, eko-edukimin, krijimin e politikave dhe përpjekjet e përbashkëta për ngritjen e vetëdijes së publikut për rëndësinë e këtyre politikave, për të siguruar një jetë dhe shëndet më të mirë të qytetarëve.