Sot në Shkup u mbajt një takim planifikues i projektit “Përgatitja e Planit Kombëtar të Integruar të Energjisë dhe Klimës (NECP)” për periudhën 2020-2030 i cili do t’i mundësojë vendit të planifikojë politikat, qëllimet dhe masat e tij lidhur me klimën dhe energjnë në pajtim me rekomandimin 2018/1/MC-EnC të Këshillit të Komunitetit të Energjisë.
Sipas zëvendësministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor Jani Makraduli, përmbushja e detyrimeve ndaj Komunitetit Evropian të Energjisë është i lidhur ngushtë me mjedisin dhe klimën. Në fakt, edhe në COP-in e fundit, Qeveria mbështeti Koalicionin ambicioz për negociatat globale të klimës dhe ishte vendi i parë që nënshkroi Marrëveshjen e Partneritetit me Komunitetin e Energjisë dhe nga ana tjetër ne jemi midis 16 vendeve që kanë një angazhim të rreptë ndaj Marrëveshjes së Parisit.
– Kemi detyrë si një vend të bëjmë një plan të përbashkët në mes të energjisë dhe të klimës ndërsa nevojave energjetike t’iu përgjigjemi me përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Parisit, por edhe objektivat e Komunitetit të Energjisë, – tha Makraduli në hapjen e takimit duke shprehur kënaqësinë që ka sinergji në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë sëMjedisitJetësor dhe Planifikimit Hapësinor që duhet të rezultojë me përpunimin e një dokumenti cilësor që do të hapë aktivitetet dhe drejtimet e zhvillimit të ekonomisë, para së gjithash nëpër shtyllat e Energjisë dhe klimës.
Sipas Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, Zoran Pavlovski, vendi ynë si nënshkrues i Traktatit për themelimin e Komunitetit të Energjisë dhe kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian është duke u përballur me sfidat e zbatimit efikas të reformave serioze në fushën e energjisë.
-Veprimtaria e sotme është një mundësi e mirë për të treguar se disa procese mund të funksionojnë njëkohësisht: furnizimi me energji, reduktimi i emetimeve të gazrave serrë dhe zbutja e ndryshimeve klimatike – tha Pavlovski.
-Përpunimi i një Plani Kombëtar të Integruar të Energjisë dhe Klimës do t’i mundësojë vendit të planifikojë qëllimet klimatike dhe energjetike, politikat dhe masat e tij dhe ti harmonizojë politikat energjetike me politikat e BE-së. Plani, pasi të finalizohet, do të zvogëlojë barrën mbi administratën, do të sigurojë koherencë më të madhe dhe planifikim më të mirë afatgjatë të investimeve “, tha Dubravka Boshnjak, Menaxher i Projektit të GIZ – Fondi i Hapur Rajonal për Efikasitet Energjetik në EJL.
Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor, formoi një grup pune që do të fillojë koordinimin e qëllimeve kombëtare të energjisë dhe klimës, do të identifikojë mospërputhjet mes dokumenteve kombëtare të energjisë dhe klimës me qëllim të parandalimit të kontradiktave mes tyre dhe të hartojë një Plan Veprimi me një afat kohor për integrimin e qëllimeve dhe politikave të energjisë dhe klimës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Brenda projektit, gjatë vitit 2019 do të zbatohet puna analitike dhe teknike, ndërsa është planifikuar të përpunohen edhe parashikimet që njëherësh do të përfshijnë si referencën ashtu edhe skenarët politikë.
Gjatë vitit 2020, është planifikuar që projekt- planet nacionale të dorëzohen në Sekretariat, i cili do të kërkonte konsultime me Palët Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, sekretariatin, vendet përkatëse anëtare të BE dhe Komisionin Evropian. Planet përfundimtare pritet të përgatiten deri në tetor 2020, duke marrë parasysh mendimet e marra gjatë procesit të konsultimit.
Projekti zbatohet nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar në koordimin me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.