(21.03.2015 ) Me dorëzimin zyrtar për shfrytëzim, nga ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, kryetarit të komunës së Haraçinës Brahim Ajvazi, u shënua përfundimi i rikonstruksionit të kanalit qarkor në Haraçinë.
Duke shpresuar se me këtë angazhim pushteti lokal, por edhe banorët e Haraçinës përgjithmonë do të lirohen nga problemet e ndotjes me të cilat ballafaqohen vite me radhë, e që janë shkaktuar nga kanali i hapur i cili kalon nëpër këtë vendbanim, ministri Izairi vuri në dukje edhe faktin se për një mjedis jetësor të shëndoshë nuk mjaftojnë vetëm projektet nga pushteti shtetëror , por edhe më tepër nevojitet kujdesi i përditshëm i njerëzve të cilët jetojnë këtu, kultivimi e shprehive të shëndosha jetësore dhe një raport i përgjegjshëm ndaj mjedisit jetësor ku jetojmë.
Për realizimin e këtij projekti , Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga buxheti i saj siguroi mjete në vlerë prej 89 milion denarë , ndërsa gjithashtu e përgatiti edhe dokumentacionin e plotë të nevojshëm për realizimin e tij.
Kanali i ujërave të zeza është me një gjatësi prej përafërsisht 2.000 metra. Nga kjo gjatësi, kanalit të hapur nga betoni i përkasin 788 metra, 207 metra janë kanal i mbyllur nga betoni dhe 943 metra janë kanal i hapur toke.