„ Liqeni i mollëve “është filmi me të cilin Republika e Maqedonisë me ndërmjetësim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor do të prezantohet në Festivalin e tretë me radhë Green Montenegro International Film Fest (GMIFF) që do të mbahet nga 14 deri më 16 dhjetor në Mal të Zi.
Filmi është në regji të Ljubo Stefanov dhe Tamara Kotevska, dhe është bërë në kuadrin e projektit për mbrojtjen e Liqenit të Prespës.
Është një histori suksesi që me menaxhimin e qëndrueshëm ruhet një nga ekosistemet më të vjetra të ujërave të ëmbla në Tokë ku jetojnë më shumë se 2000 lloje bimësh dhe kafshësh, shumë prej të cilave janë lloje endemike.
Si përfaqësues nga Maqedonia, festivalin do ta ndjekë këshilltari i posaçëm i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Dragan Jovanov , i cili njëherësh do të hapë edhe festivalin e këtij viti dhe do të flasë në drejtimin e edukimit mjedisor dhe të shkencës, rolin e arsimit, si dhe rreth qëndrimit ndaj mjedisit dhe mbrojtjes së tij.
Në festivalin e këtij viti do të shfaqen filma mbi temën e mbrojtjes së mjedisit nga mbi 40 vende nga rajoni, Evropa dhe bota. Qëllimi i festivalit është që nëpërmjet impulsit artistik të zhvillohet dhe rritet ndërgjegjësimi për nevojën e mbrojtjes dhe ruajtjes së mjedisit dhe të promovohet dija dhe ndërgjegjësimi për ekologjinë. Festivali gjithashtu ka një pjesë konkurruese në të cilën do të përzgjidhet filmi më i mirë mjedisor, edukatori më i mirë mjedisor dhe do të shpërblehet me çmimin e madh Grand Pri për arritjen më të mirë të filmit të festivalit.
Në festival marrin pjesë akademikë, profesorë, zyrtarë qeveritarë, institucione shtetërore dhe OJQ nga Mali i Zi dhe rajoni.