Sot në Ohër filloi takimi i 17-të vjetor i organizatave të shoqërisë civile që punojnë në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe Koalicionit Klimatik, i cili ka për qëllim që të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit dhe përforcimin e bashkëpunimit të tyre, si dhe ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me të gjitha palët relevante të interesit.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova, në fjalimin e saj hyrës, i prezantoi prioritetet dhe synimet kryesore të Ministrisë së Mjedisit Jetësor për vitin 2022 dhe hapat e ardhshëm të planifikuar, si dhe Strategjinë për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile 2022-2024, miratuar në dhjetor 2021, qëllimi i të cilës është që të përmirësojë mjedisin ligjor dhe institucional për shoqërinë civile, me një kuadër financiar të përshtatshëm për aktivitetet e tyre dhe një model të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të shëndoshë të financimit shtetëror.
Ajo njëherësh, prezantoi edhe Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022, i cili përmban trendet politike, ekonomike dhe juridike në vend dhe i cili paraqet udhërrëfyes për institucionet mbi zbatimin e mëtejmë efektiv të reformave të brendshme.
Takimi vjetor organizohet nga Qendra për Hulumtime dhe Informim Mjedisor Eko-vetëdija, në bashkëpunim me Shoqatën e Maqedonisë të Juristëve të Rinj (SHMJR), Qendrën e Gjelbër të Maqedonisë dhe Organizatën për lidhjen e vlerave natyrore dhe njerëzve – CVNP.