(18.01.2016) Sot, ministri i Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë Liza Vinton, në Tetovë zhvilluan një takim pune ku u prezentuan konkluzionet dhe rekomandimet kryesore të studimit për vlerësimin e rrezikut nga vërshimet në rajonin e Pollogut.
Hartimi i studimit është pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për rehabilitimin e rreziqeve nga vërshimet, të cilat ndodhën më 3 gusht të 2015-ës. Përmes aplikimit të qasjeve dhe modeleve më bashkëkohore metodologjike, ndërsa duke i ndjekur rekomandimet e Direktivës për vërshime të BE-së, studimi arrin deri te përgjigjja më precize e arsyeve të shfaqjes dhe zhvillimit te ngjarjes kritike, por edhe bën projeksione për pasojat e mundshme nga ngjarjet e ardhshme të ngjashme, nëse nuk ndërmerren masa adekuate. Në këtë studim janë zhvilluar dhe krahasuar skenarë të mundshëm menaxhues, të cilët i nënshtrohen një analize ekonomike gjithëpërfshirëse. Masat e propozuara në studim japin bazë për orientim të investimeve të ardhshme në rajon për të zbutur rrezikun nga vërshimet si një kërcënim shumë serioz për zhvillimin socio-ekonomik. Në periudhën prej disa muajsh studimin e hartoi ekipi i ekspertëve interdisciplinar i angazhuar nga UNDP-ja. Në studim u përfshinë pjesët më të prekura të rajonit të Pollogut, të cilat shtrihen në territorin e komunës së Tetovës, Tearcës dhe Bogovinës ku jetojnë afro 130,000 banorë.
Pas prezentimit, ministri Izairi, kryetarja e komunës Arifi, përfaqësuesit e UNDP-së dhe zonja Luiza Vinton diskutuan rreth strategjisë për realizimin e rekomandimeve si dhe për burimet e mundshme financiare.
U arrit marrëveshje që urgjentisht të bëhet një Plan aksionar i sublimuar, në të cilin do të merren parasysh vlerësimet nga komisioni qeveritar për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, Studimi i hartuar nga UNDP-ja si dhe analizat ekzistuese dhe njohuritë me të cilat disponojnë Ministria dhe Komuna e Tetovës për rajonin e Pollogut. Plani aksionar do të jetë bazë për paraqitje para donatorëve të vendit dhe atyre ndërkombëtar për sigurimin e mjeteve për mënjanimin e pasojave nga vërshimet e gushtit dhe për zvogëlimin e rrezikut nga katastrofat natyrore të këtilla në të ardhmen si dhe do të përmbajë edhe prioritet të masave, duke pasur parasysh shumën e mjeteve që janë të nevojshme për realizimin e tij.