(23.09.2015) Мinistri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, mbajti fjalim në hapjen e punëtorisë, e cila u mbajt në hotelin Kontinental në Shkup, në kuadër të projektit: “Ndërtimi i Qendrës virtuale të Ballkanit perëndimor për shërbime hidrometeorologjike dhe ndryshime klimatike”.
Duke theksuar se ndryshimet klimatike janë çështje, të cilës Qeveria e Republikës së Maqedonisë duhet t’i kushtojë kujdes të veçantë përmes përmbushjes së obligimeve në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar, ministri Izairi në fjalimin e tij shtoi:
– Vendi ynë është shteti i 23-të në botë, i cili në muajin gusht të këtij viti e përgatiti, miratoi dhe dorëzoi të ashtuquajturin Kontribut nacional të ndryshimeve klimatike . Me këtë dokument e japim kontributin tonë në përpjekjet globale për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike dhe i japim mbështetje tërë procesit që po udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara.
Ai paralajmëroi se në muajin nëntor do të mbahet Konferencë ministrore me temë “Në prag të samitit në Paris, sfidë e shteteve anëtare të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI)”.
Punëtoria e sotme paraqet vazhdimësi të të gjitha aktiviteteve, të cilat po i ndërmerr Republika e Maqedonisë në prag të Samitit të klimës në Paris dhe në kuadër të kryesimit të RM-së me Iniciativën e Evropës qendrore. Në të morën pjesë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare: Organizata botërore meteorologjike, Komisioni evropian për hulumtim, Universiteti i Triestës, Instituti nacional i oqeanografisë dhe gjeofizikës eksperimentale nga Triesta, institucionet qeveritare relevante, institucionet shkencore dhe publike, organizatat joqeveritare, mediat dhe përfaqësues të ambasadave në Republikëne Maqedonisë.