(03.07.2015) Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi së bashku me kryetaren e komunës së Tetovës Teuta Arifi dhe me zëvendëskryeministrin përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit Musa Xhaferi, sot vizituan lokalitetin ku po zhvillohen aktivitetet ndërtimore për realizimin e fazës së dytë të ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë në Tetovë.
Kjo pjesë e ujësjellësit përfshinë tetë e gjysmë kilometra tubacion nga rezervuari grumbullues – “Leshnicë” deri te rezervuari grumbullues – “Studena Rekë”, me çka do të sigurohen në mënyrë plotësuese 200 litra ujë në sekondë për qytetarët e Tetovës.
– Ky projekt është me rëndësi të madhe për banorët e Tetovës dhe realizohet në përputhje të plotë me dinamikën e paraparë. Në fakt, gjatë vitit 2014 janë realizuar 50% të punëve të parapara ndërtimore, ndërsa përfundimi i tërësishëm i projektit është paraparë deri në fund të këtij viti. Vlera e përgjithshme investuese e këtij projekti është 2 milionë euro – deklaroi ministri Izairi.
Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, deklaroi se paralelisht me realizimin e këtij projekti është përgatitur edhe dokumentacioni teknik, i cili tanimë i është dorëzuar Ministrisë së transportit dhe lidhjeve për marrjen e lejes ndërtimore për ndërtimin e stacionit të filtrimit.