(22.05.2015) – Kam një kënaqësi të veçantë që sot arritëm edhe zyrtarisht ta vëmë në funksion Stacionin monitorues për Liqenin e Prespës që është një nga të arriturat më të mëdha në sigurimin mbrojtjes së ardhshme të këtij ekosistemi me vlerë të paçmueshme. Dëshiroj të potencoj se duke vendosur monitorim të rregullt të liqenit ne jemi midis atyre shteteve dhe rajoneve në botë, të cilat vërtetë i vlerësojnë burimet natyrore dhe në mënyrë adekute kujdesen për to – theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, në fjalën përshëndetëse me rastin e shënimit të 22 majit – Ditës ndërkombëtare të shumëllojshmërisë biologjike – dhe lëshimit solemn në përdorim të Stacionit të parë monitorues për hulumtimin dhe përcjelljen e cilësisë së ujërave të Liqenit të Prespës, që u mbajt sot në fshatin Stenjë të Resnjës.
Ky stacion është vendosur me qëllim të përmirësimit të mbrojtjes së shumëllojshmërisë së pasur të habitateve natyrore dhe llojeve të gjallesave dhe bimëve të pellgut të Liqenit të Prespës, si një ndër liqenet më të vjetra të ëmbla në botë, me ekosistem unikat që evoluoi gjatë pesë milionë viteve, duke siguruar habitate për mbi 2.000 lloje peshqësh, zogjësh, gjitarësh dhe bimësh.
Mbijetesa e këtij biodiversiteti të paçmueshëm drejtpërsëdrejti varet nga cilësia e ujit, i cili gjatë 40 viteve të fundit i ishte nënshtruar periudhës së gjatë të thatësirës dhe ndotjes, të shkaktuar nga praktikat e paqëndrueshme bujqësore, duke përfshirë edhe përdorimin e tepërt të plehrave, pesticideve dhe hedhjes së mbeturinave..
Si qëllim kryesor, ministri i nënvizoi angazhimet që ky sistem të funksionojë jo vetëm në bazë të qëndrueshme, por i njejti të reflektohet edhe në rajonet tjera të pellgjeve në vend me çka drejtpërsëdrejti do të kontribuohet për një promovim edhe më të madh ndërkombëtar të vlerave të Prespës dhe suksesit të përpjekjeve të përbashkëta në mbrojtjen e biodiversitetit të pasur.
Me këtë rast, ministri Izairi i shprehu një falënderim të posaçëm Qeverisë së Zvicrës për ndihmën në realizimin e projektit: “Mbrojtja e Liqenit të Prespës“si dhe UNDP-së që e zbatoi projektin në partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe komunën e Resnjës, duke thesuar rëndësinë e tij të madhe për mbrojtjen e këtij rezervati të rrallë biosferik.
Në këtë ngjarje, të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i komunës së Resnjës Gjoko Strezovski, i cili mes tjerash tha: -Duke kremtuar ditën e sotme patjetër duhet të potencoj madhështinë e saj për faktin se edhe krahas rëndësisë së madhe të Liqenit të Prespës si dhe sfidat me të cilat është përballur ky ekosistem gjatë dekadave të kaluara, kjo është përpjekja e parë gjithpërfshirëse për t’u aplikuar një monitorim i rregullt dhe i organizuar i liqenit nga ana maqedonase. Kjo është me rëndësi kyçe në aplikimin e menaxhimit optimal me ekosistemin e liqenit dhe aktivitetet ekonomike në rajonin e pellgut të saj, të cilat ndikojnë ndaj liqenit. Me ndihmën e tij do të mund të përcillen dhe dokumentohen ndryshimet pozitive që janë rezultat i një sërë masash që në këtë rajon janë zbatuar me sukses gjatë disa viteve të kaluara.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Alesandro Frakaseti zëvendës i përfaqësuesit të përhershëm të Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP ) dhe Stefano Lazaroto ambasador i Zvicrës në Maqedoni.
Si ngjarje paralele ishte vizita e ekspozitës së piktores Kristina Zimbakova, e cila me titull “Mikoriza” ishte vendosur në ishullin e vetëm në Maqedoni- Golem Grad.