Versioni i parë i Hartës Kombëtare të Habitateve të Maqedonisë së Veriut u prezantua sot para publikut akademik dhe profesional, përfaqësues të sektorit civil, institucioneve qeveritare dhe disa ambasadave të huaja në vend.
Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, në fjalimin e saj theksoi se Harta e Habitateve paraqet një hap të rëndësishëm përpara në procesin afatgjatë të identifikimit dhe valorizimit të gjendjes ekologjike të habitateve në vendin tonë.
– Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si autoritet kompetent për krijimin e politikave dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor në nivel kombëtar, e kupton dhe konfirmon nevojën që një hartë e tillë të jetë pjesë e bazës për proceset e ardhshme të planifikimit në vend. Kjo do të reflektohet në fushën e planifikimit hapësinor, dhe sigurisht në planifikimin e mbrojtjes së natyrës dhe vlerave natyrore të vendit tonë, por edhe në fushën e identifikimit të zonave NATURA 2000, që janë pjesë e sistemit të përgjithshëm për planifikimin e mbrojtjes së mjedisit jetësor – theksoi Shukova në fjalimin e saj hyrës.
Harta është hartuar në kuadër të projektit të financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të zbatuar nga Maneko Solutions SHPKNJP Shkup dhe ekipi kombëtar i ekspertëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Gjatë përzgjedhjes së të dhënave, është bërë një përcaktim i duhur i habitateve deri në nivelin e tretë sipas klasifikimit të Sistemit Evropian të Informacionit të Natyrës (EUNIS 2012) të Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), si dhe është bërë korrelacion me Direktivën e Habitateve. Është zhvilluar një ueb platformë e Sistemit të Informacionit Gjeografik në hartën e vendbanimeve dhe do të jetë e disponueshme për publikun në faqen e internetit të Ministrisë, pas ngjarjes promovuese.