Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, sot hapi takimin vjetor të Koalicionit për Klimën dhe organizatat civile që punojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike.
Ajo prezantoi prioritetet dhe synimet kryesore të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në këtë fushë dhe hapat e ardhshëm të planifikuar, duke theksuar se MMJPH ka arritur bashkëpunim të mirë me sektorin civil në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe zhvillimin e politikave dhe masave klimatike.
– Në fushën e ndryshimeve klimatike, si shtet dhe si ministri punojmë prej disa vitesh. Ne ishim të pranishëm edhe në Konferencën e 28-të të Palëve të UNFCCC dhe mesazhi që dërguam është që të gjitha vendet, dhe ato të voglat, duhet të kenë pjesën e tyre. Të jesh ambicioz është një sfidë, por ne e pamë dhe e shohim ende si një mundësi që është e dobishme për popullin tonë dhe ekonominë tonë – tha zëvendësministrja Oxhaklieska, duke shtuar se me shembullin tonë tregojmë se të kesh një vizion dhe qëllime ambicioze afatgjata dhe afatmesme janë të arritshme me veprime të përbashkëta dhe partneritet.
Në takim u përmbledh puna e mëparshme e organizatave të shoqërisë civile nga sektorët e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike dhe u diskutua për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me autoritetet lokale dhe kombëtare dhe palët e tjera të interesuara.
Anëtarët e koalicionit u njohën me politikat dhe ligjet në sektorin e klimës, si dhe me reformat sektoriale që po zbaton shteti në fushën e ndryshimeve klimatike.
Takimi vjetor organizohet nga Qendra për Hulumtime dhe Informacione Mjedisore Eko-Ndërgjegjësimi, në bashkëpunim me Shoqatën Maqedonase të Juristëve të Rinj (SHMJR), Qendrën e Gjelbër Maqedonase dhe Organizatën për Lidhjen e Vlerave Natyrore dhe Njerëzit – CNVP, dhe mbështetet nga Qeveria suedeze.