Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, po merr pjesë në Kongresin Botëror Smart City Expo, i cili këtë vit po mbahet në Barcelonë të Spanjës.
Ajo pati fjalimin e saj në panel-diskutimin: “Hulumtimi i tranzicioneve urbane në Mesdhe: Sfidat e përbashkëta në rajonin e Mesdheut dhe shembuj të praktikave më të mira të qasjeve të tranzicionit urban (në nivel ndërkombëtar-kombëtar)”.
Zëvendësministrja Oxhaklieska theksoi rëndësinë e përfshirjes së ndryshimeve klimatike në hartimin e planeve hapësinore, si drejtim bazë për krijimin e zgjidhjeve urbane rezistente ndaj klimës. Ajo theksoi se, nëse nuk marrim masa parandaluese për t’iu përshtatur ndryshimeve klimatike përmes zgjidhjeve të duhura të planifikimit, do të përballemi me pasojat e fatkeqësive të mundshme klimatike. Prandaj, vizioni për rregullimin hapësinor të vendit tonë duhet të pasqyrohet në dokumentacionin planor nga një nivel më i ulët.
Kongresi Botëror Smart City Expo është ngjarja më me ndikim kushtuar inovacionit urban, ku udhëheqës nga disa kompani, qeveri dhe organizata të mëdha kanë mundësinë të prezantojnë ide novatore, kërkime, analiza, vizione dhe zgjidhje që lidhen me zhvillimin dhe të ardhmen e qytetarëve.