Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova mori pjesë në hapjen e konferencës dyditore ndërkombëtare me temë “Shërbimet komunale në qytetet e zgjuara” organizuar nga Shoqata e Ofruesve të Shërbimeve Komunale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (ADKOM), e cila është e mbështetur financiarisht nga MMJPH.
– Komunat përballen me sfida të shumta, probleme të pazgjidhura komunale dhe projekte që duhet të realizohen dhe jemi të vetëdijshëm se ne si Qeveri duhet të ndihmojmë për të tejkaluar situatën dhe për të ecur në drejtim të “qyteteve të zgjuara”. Takimi i sotëm synon, me përpjekje të përbashkëta, të bëjë edhe një herë një përmbledhje të kushteve dhe kapaciteteve të komunave në të gjitha rajonet planore dhe të përcaktojë hapat e ardhshëm në themelimin e “qyteteve të zgjuara” me shërbime komunale solide dhe të qëndrueshme. Ky është prioritet edhe i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, edhe i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe i vetëqeverisjes lokale – theksoi Shukova në fjalën e saj hyrëse.
Ajo sqaroi gjithashtu se në asanjë moment nuk bëhet fjalë për marrjen e përgjegjësive dhe kompetencave të komunave, por thjesht për bashkim me pushtetin qendror, pushtetin vendor të zgjidhim këtë problem të kahmotshëm në vendin tonë.
Në këtë ngjarje folën edhe kryetari i ADKOM-it, Pece Milevski dhe kryetari i Bashkësisë së Vetëqeverisjes Lokale – BNJVL, Orce Gjorgjievski. Njëkohësisht, u zhvillua edhe një ekspozitë teknike – një panair i paisjeve të shërbimeve komunale, ku më shumë se 20 kompani patën mundësinë të prezantojnë produktet e tyre.
Koncepti i “qyteteve të zgjuara” u ngrit si një përgjigje ndaj sfidave moderne që lidhen me zhvillimin intensive urban. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, deri në vitin 2050, më shumë se 68% e popullsisë së botës do të jetojë në qytete të mëdha, gjë që do të kontribuojë në rritjen e ndotjes së ajrit dhe konsumin joekonomik të burimeve.
Qytetet inteligjente synojnë të optimizojnë burimet, të kontribuojnë në një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm dhe të përmirësojnë jetën urbane. Zhvillimi i tyre kërkon infrastrukturë të lartë dhe teknologji moderne, dhe ato bazohen në një platformë në të cilën mund të shtohen zgjidhje dhe aplikacione të reja.