Sekretari shtetëror për Mjedisin Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor, Nebi Rexhepi, kishte fjalim në panel-diskutimin me temë: “Planifikimi i zgjuar i energjisë – Sfidat dhe mundësitë për Maqedoninë”.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se në një kohë të përballjes me sfidat e ndryshimeve klimatike, reduktimit të burimeve të lëndëve djegëse fosile dhe përpjekjeve për të reduktuar emetimet e gazeve serrë, tranzicioni në burimet e rinovueshme të energjisë, siç janë fotovoltaikët dhe mullinjtë e erës është thelbësor dhe jo vetëm një zgjedhje por e domosdoshme. Sot, kur jemi në një udhëkryq ku vendimet tona do të kenë një ndikim të qëndrueshëm në mjedisin jetësor, shoqëri dhe ekonomi, planifikimi i duhur hapësinor dhe mbrojtja e mjedisit jetësor, natyrës dhe shëndetit të njeriut duhet të jetë prioriteti i përpjekjeve tona.
Gjithashtu, ai theksoi se planifikimi i mençur i energjisë është një proces shumëdimensional që kërkon një kombinim harmonik të aspekteve të ndryshme, prandaj duhet të sigurohet gjithmonë që përdorimi i së njëjtës hapësirë dhe i burimeve të njëjta të mos na shpiejë në situata konflikti, por të harmonizohet në një politikë të përbashkët zhvillimore – diçka që arrihet më së miri përmes planifikimit hapësinor.
Ai informoi se është në proces hartimi i Planit Hapësinor të shtetit, detyra e të cilit është ta arrijë pikërisht këtë dhe se do të mbështetet me Ligjin e ri për Planifikim Hapësinor, teksti i të cilit aktualisht është në fazën e draftimit.
Në pjesën e tij të fundit ai theksoi se planifikimi i zgjuar i energjisë, i cili merr për bazë planifikimin hapësinor, është e vetmja rrugë përpara. Është një rrugë që kërkon largpamësi, përkushtim dhe bashkëpunim nga të gjithë ne – institucionet qeveritare, organizatat joqeveritare, komuniteti shkencor, sektori civil, trupi diplomatik dhe investitorët. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, të pastër dhe të begatë për planetin tonë.