Në “Forumin e sotëm të Tranzicionit të Drejtë 2023” të Komunitetit Energjetik, i cili u mbajt në Shkup, u trajtuan aspektet kryesore të tranzicionit të drejtë – planifikimi dhe zbatimi, politikat, njerëzit, mjedisi jetësor dhe financimi, si dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike e cila është e lartë në Agjendën politike të Komunitetit Energjetik.
Në qendër të vëmendjes ishte angazhimi për dekarbonizimin, duke vendosur synime ambicioze për klimën dhe energjinë për vitin 2030 si për Komunitetin Energjetik ashtu edhe për palët e tij kontraktuese, përfshirë vendin tonë.
Sekretari Shtetëror për Mjedisin Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor, Nebi Rexhepi, kishte fjalim në panelin e nivelit të lartë me titull “POLITIKA DHE MENAXHIMI”.
Në fjalimin e tij, Rexhepi theksoi se politika e dekarbonizimit është komplekse, ndërdisiplinore dhe ndikon në tre shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm dhe se Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor si përgjegjëse për koordinimin e aktiviteteve për Klasterin 4 – Agjenda e gjelbër dhe Ndërlidhja e qëndrueshme , dhe drejtpërdrejt për ndryshimet klimatike, zhvillon dhe propozon politika të bazuara në shkencë që përputhen me kërkesat që rezultojnë nga e drejta e BE-së.
“Mendoj se arritëm të përfshinim politikat energjetike dhe klimatike, sepse kishim dhe kemi si partnerë shkencën, biznesin dhe shoqëritë civile. Ne kemi miratuar disa dokumente me rëndësi thelbësore për dekarbonizimin, të cilat kanë vendosur objektiva afatmesëm dhe afatgjatë për dekarbonizimin. Ne po finalizojmë Draft- Ligjin për Veprimin Klimatik dhe po vazhdojmë më tej në miratimin e tij. Ne e shohim dekarbonizimin si një mundësi për rritje përmes krijimit të vendeve të gjelbra të punës, qe shpëton jetë njerëzore, përmes një qasjeje të përgjithshme dhe të gjerë”, tha Rexhepi.