Zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Hristina Oxhaklieska, mbajti një fjalim përshëndetës në hapjen e Kongresit të 26-të të kimistëve dhe teknologëve të Maqedonisë, i cili këto ditë po mbahet në Ohër.
Sipas saj, ekspozimi global ndaj ndotësve është bërë kriza e tretë planetare, krahas ndryshimeve klimatike dhe humbjes së biodiversitetit, që kërcënon të ardhmen e planetit tonë, duke shtuar se menaxhimi i qëndrueshëm i kimikateve dhe mbetjeve konsiderohet tashmë një gur themelor i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, i përcaktuar në Axhendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2030.
– Në këtë drejtim, ne u angazhuam plotësisht për një të ardhme të dekarbonizuar në nivel kombëtar duke nënshkruar Deklaratën e Sofjes për Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Marrëveshjen e Parisit, por edhe duke ratifikuar konventat si ajo e Bazelit, Stokholmit, Roterdamit dhe Minamatës, të cilat merren me kimikate dhe mbetje. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ka përpunuar gjithashtu një numër të madh dokumentesh strategjike që kanë të bëjnë me menaxhimin e mirë të kimikateve dhe mbeturinave, të cilat konsiderohen si udhëzues për zbatimin e veprimeve për reduktimin dhe eliminimin e kimikateve të rrezikshme. Gjithashtu, që nga viti 2006, vendi ynë është angazhuar në zbatimin e Qasjes Strategjike të Menaxhimit të Kimikateve (SAICM), në nivel kombëtar dhe rajonal, duke bërë shumë përpjekje në prezantimin e një qasjeje të re për arritjen e standardeve më të larta për menaxhimin e mirë kimik – theksoi Zëvendësministrja Hristina Oxhaklieska.
Kongresi i kimistëve dhe teknologëve të Maqedonisë mbahet çdo 2 vjet dhe organizohet nga Fakulteti Tekno-Metalurgjik në bashkëpunim me Institutin e Kimisë pranë Fakultetit Shkencor-Matematikor dhe Unionin e kimistëve dhe teknologëve të Maqedonisë. Ka karakter ndërkombëtar dhe synohet shkëmbimi i njohurive në fushën e kimisë dhe teknologjisë dhe shkencave të lidhura me to.