Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova ka zhvilluar një takim me ambasadoren e Konfederatës së Zvicrës në vendin tonë, shkelqësia e saj, Veronique Hullman Marti.
Në takim u diskutua për mënyrat e tejkalimit të sfidave gjatë realizimit të projekteve aktuale, si dhe u shqyrtuan rezultatet dhe funksionaliteti i projekteve të përfunduara.
Ambasadorja Hullman theksoi në takim se mbështetja nga qeveria zvicerane ka për qëllim ndër të tjera infrastrukturën dhe mjedisin jetësor, veçanërisht mbrojtjen e natyrës, trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave të ngurta.
Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen dhe kënaqësinë për qasjen afatgjatë për gjetjen e zgjidhjeve të duhura dhe përmbushjen e kritereve të BE-së në fushën e mjedisit jetësor. Gjegjësisht, si sfida kryesore ajo vuri në dukje ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe zbatimin e ligjeve.
Ministrja Shukova shprehu respektin dhe mirënjohjen për mbështetjen që qeveria zvicerane jep për përmirësimin e mbrojtjes së përgjithshme të mjedisit jetësor, si një nga donatorët më të mëdhenj në këtë fushë, si dhe e njoftoi ambasadoren për synimet afatgjata të ministrisë, si dhe për masat e planifikuara reformuese në këtë departament.