Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi, ambasadori zviceran në RM Stefano Lazarato dhe kryetari i komunës së Koçanit Ratko Dimitrovski, iu drejtuan të pranishmëve në Prezentimin e tretë publik të projekt-planit për menaxhim me pellgun e lumit të Bregallnicës që sot u mbajt në Koçan.
– Përmes zbatimit të këtij projekti në 15 komuna të rajonit të lumit Bregallnicë, jam i sigurt se do të arrihet një zhvillim socio-ekonomik i rajonit, stimulimi i industrisë, bujqësisë dhe turizmit. Zbatimi i ligjit të ujërave dhe përmirësimi i cilësisë së ujit dhe i shërbimeve sanitare në pellgun e lumit Bregallnicë janë rezultati kryesor i pritur. Projekti shërben si projekt pilot për menaxhim me ujërat në tërë territorin e shtetit-deklaroi me këtë rast ministri Izairi.
Projekti është financuar nga Sekretariati shtetëror zviceran për çështje ekonomike SEKO, ndërsa është zbatuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe komunat e rajonit.
Ky projekt përbëhet prej dy komponentëve: Hartimi i planit për menaxhim me pellgun e lumit dhe realizimi i projekteve të vogla infrastrukturore.
Versioni përfundimtar i Planit për menaxhim me pellgun e lumit, i cili përmbanë analiza të gjendjes ekzistuese, por edhe skenarë për gjendjen e mundshme me resurset ujore në 20 vitet në vijim, pritet të finalizohet më së voni deri në shtator 2015.
Sa u përket projekteve të vogla infrastrukturore, realizimi nga thirrja e parë është në rrjedhë. Të përkujojmë se gjatë thirrjes së parë të gjitha komunat morën nga 50.000 franga zvicerane, ndërsa realizimi i i projekteve të zgjedhura është në rrjedhë. Thirrja e dytë ka të bëjë me projektet prej 50.000 deri 500.000 franga zvicerane. Projektet nga thirrja e dytë pritet të ralizohen në fund të vitit 2015.
Në kuadër të vizitës, ministri Izairi mori pjesë edhe në lëshimin solemn në përdorim të pusit të ri në Gërdovski Orman që është projekti i parë i realizuar plotësisht nga 15 projektet e para të vogla infrastrukturore.
Pusi, me të cilin sigurohen 30 litra ujë në sekondë, mundëson sistem stabil të thithjes së ujit dhe furnizim të papengueshëm me ujë edhe në periudhat kritike të verës. Me këtë pus, kapaciteti i tërë sistemit për furnizim me ujë është rritur në 280 litra në sekondë.